Lajme

Prokuroria: Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje s’e ka keqtrajtuar seksualisht të miturën nga Vitia


Prokuroria Themelore e Gjilanit

Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate për media ka njoftuar se zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, B.S, i cili u akuzua për dhunimin e një të miture, i është ndërprerë ndalimi 48 orësh pasi sipas ekspertëve mjekoligjor “e dëmtuara nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga personi në fjalë dhe as nga persona të tjerë”.

“Pas paraqitjes së kësaj situate, me qëllim të ndriçimit të kësaj ngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar, e mitura është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, personi me inicialet B.B. është ndaluar për 48 orë me dyshimin e veprës penale ‘’Dhunimi’’, mirëpo pas marrjes së raportit mjekësor tek e mitura nuk janë konstatuar dëmtime traumatike dhe patoligjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas organit të akuzës, e mitura më 5 Nëntor 2021, kishte telefonuar familjarët e saj, duke iu treguar se gjendet në qytetin e Vitisë.

“12 vjeçarja është dërguar dhe intervistuar në Qendrën për Punë Sociale dhe aty nuk kishte dhënë asnjë deklaratë se është keqtrajtuar seksualisht, me ç’rast në po të njëjtën ditë rreth orës 14:00 në stacionin policor në Viti, janë paraqitur përsëri prindërit e të miturës, me dyshimin se vajza e tyre ishte keqpërdorur seksualisht”.

Ndërkaq pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, “pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore