Kosova

Prokuroria Themelore në Pejë nis hetime për helmimet në Deçan


Pavarësisht se në 24 orët e fundit ka rënë numri i madh i të helmuarve në komunën e Decanit, qendra emergjente vazhdon të jap shërbime për qytetarë me sipmtoma të helmimit.

Rrjedhimisht Prokuroria Themelore në Pejë, ka nisur hetimet për këtë rast helmimi. Me ç’rast ka lëshuar edhe një urdhër për intervistim të disa personave.

Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.

“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i videokamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të qendrës së mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka shpjeguar në detaje Nikqi.

Për shkak se hetimet janë në fillim, Nikci u lëshua në emra të zyrtarëve të cilët po intervistohen, por tha se ky proces tashmë ka filluar.

Ai nuk dha ndonjë shifër se sa persona do të intervistohen nga kjo prokurori, pasi sipas tij janë të dhëna konfidenciale, por që tha se intervistimi ka filluar.

“Ka fillu edhe intervistimi i zyrtarëve të cilët fillimisht janë duke u pranuar dhe informata ehe për cështje të menaxhimit edhe për cështje të tjera të cilat janë pjesë e hetimeve”.

“Është kofidencial edhe numri i zyrtarëve, por kryesisht ka filluar intervistimi i tyre dhe në vazhdimsi dy prokurorë dhe institucionet përkatëse në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë intenzivisht duke punuar në teren dhe në vazhdimësi ka veprime hetimore të cilat mund të rrjedhin nga vendi i ngjarjes”.

Pas raportimit të Albanian Post se një qytetarë shqiptarë kishte hasur në dy serbë të dyshuar, pak ditë para se të nisnin shenjat e para të helmimit, fotografitë e të cilëve tashmë i ka edhe Policia në Decan e Pejë, Nikci thotë se aktualisht “nuk ka autorizim të flas në lidhje me këtë çështje”.

Gjatë ditës së djeshme, një ekipë e Albanian Post qëndroi në Decan, tek pusetat ose pushimoret e ujit të kompanisë “Hidrodrini”.

Njëra nga to, të cilën ekipi i Albanian Post e vizitoi të martën paradite, në afërsi të fshatit Hulaj në Deçan, ishte gjysmë e hapur, dhe kapaku i betonit mbi të ishte i lëvizshëm dhe i pasiguruar.

Drejtori i ujësjellësit rajonal Hidrodrini, Agron Tigani, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit të ujësjellësit të Deçanit, Petrit Januzaj, e mohonin kategorikisht se ato puseta mund të keqpërdoren lehtësisht nga keqbërësit.

Më 27 qershor, Naim Muçaj, pronari i një restoranti, 500 metra në rrugë ajrore larg këtyre pikave të ujit, është vizituar nga dy të rinj serb, të cilët kishin ardhur me një veturë me targa të Novisadit, të cilët e kishin pyetur për Manastirin e Deçanit.

Për shkak se këta djem i ishin dukur shumë të dyshimtë, Muçaj kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe u kishte përcjellë pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata.

Fluksi i madh i qytetarëve të komunës së Deçanit të cilët kërkuan ndihmë emergjente për shkak të helmimit filloi nga dita e diele e 10 Korrikut. Shifrat e të helmuarve janë në përditësim çdo moment por deri tani, ato i janë përafruar numrit 2 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore