Lajme

Prokuroria Speciale po heton ish-ministren Hoxha se keqpërdori kontrata të ministrisë për fushatë zgjedhore


Dhurata Hoxha, ish-ministre e Integrimeve evropiane të Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane në Kosovë, Dhurata Hoxha, nën pretendimin se keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, duke përdorur një kontratë të ministrisë që drejtonte për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare në vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës të siguruar nga Betimi për Drejtësi, e ngritur me 12 maj 2022, Hoxha dyshohet se në cilësinë e ministres së MIE, kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të ministrisë me operatorin ekonomik “PR Solution”.

Sipas akuzës edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA).

E pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019.

Sipas aktakuzës ajo kishte promovuar veten duke publikuar banerë e video që vinin në pah të dyshuarën në këtë rast, ish ministren Hoxha e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate duke i mundësuar asaj përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumë prej 143.447.80 euro.

I dyshuari i dytë në këtë proces, përveç Hoxhës është edhe Fitim Mustafa, zyrtar përgjegjës i Prokurimit në MIE. Dhe duke mbajtur këtë pozitë, ai akuzohet se me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontaktuar dy operatorë ekonomik, “PR Solution”, dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në Dosje të Tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192,700 mijë euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me Kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solutions”.

Fitim Mustafa akuzohet se kreu veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuari i tretë në këtë rast, Gëzim Dushi, zyrtar për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019-janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontratë, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime komfor kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të datës 6 tetor 2019 në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

Kështu, Dushi dyshohet se kreu veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në cilësinë e bashkëpunëtorit, në këtë rast, akuzohet edhe Ekrem Tahiri.

Ky, dyshohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution”Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë Kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

Tahiri dyshohet se kreu veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa tu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

Kurse ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga Gjykata të shqiptoj dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Ndryshe, Hoxha për akuza për korrupsion është duke u akuzuar edhe një rast tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore