Shqipëria

Prokuroria procedon 53 njoftime për krime zgjedhore


Prokuroria e Përgjithshme, të enjten e 10 qershorit, ka nxjerrë njoftimin se në vijim të hetimeve për krimet zgjedhore janë proceduar 53 njoftime për këto vepra penale.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar shtatë prej tyre me pesë persona në hetim. Prej të cilave tre procedime me tre persona në hetim janë transferuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Ndërkaq një çështje është pushuar, një është pezulluar dhe janë në gjykim dy të tjera me dy të pandehur.

Nga ana tjetër prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak për 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 23 njoftime dhe është vendosur mos fillimi i procedimit penal për 25 njoftime për veprat penale si “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, ‘Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve’, “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimet politike ose zgjedhore”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Pengimi i zgjedhësit”, “Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve”, “Shkelja e të drejtës së zgjedhjes”, “Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, “Shpërdorimi i autoritetit ushtarak”, “Shpërdorimi i autoritetit policor” dhe për “Shpërdorimi i detyrës ne lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet”.

Prokuroria shtoi se aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë pesë persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për katër persona prej të cilave është pranuar kërkesa për tre persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore