Shqipëria

Prokuroria kërkon 25 vite burg për Arbër Paplekajn


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka kërkuar 25 vite burg për ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj gjatë dhënies së konkluzioneve për ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Ndërkohë për dy ish-nëndrejtorët u kërkua dy vite shërbim prove dhe tetë muaj shërbim prove për punonjësit e policisë.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore