Lajme

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj edukatores dhe kuzhinieres për keqtrajtim të fëmijës në çerdhe të Fushë-Kosovës


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një edukatoreje dhe një kuzhiniere, për keqtrajtimin e një fëmije në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë gjatë muajit shtator të këtij viti.

Sipas organit të akuzës, N.M dhe N.H, akuzohen për “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe për “lëndim të lehtë trupor”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, konkretisht staf i angazhuar në Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, duke e keqtrajtuar të dëmtuarin e mitur brenda hapësirave të këtij institucioni, ku si pasojë e këtyre veprimeve të njëjtat kanë kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në njoftim.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”.

Më 19 shtator, përmes një video të publikuar nga familjari i 3-vjeçarit, Fatos Geci, pamjet tregojnë momentin ku nipi i tij tërhiqet zvarrë për duarsh nga njëra edukatore.

Në pamjet e publikuara fillimisht shihet një edukatore duke ushtruar dhunë ndaj nipit të Gecit, për të dytën herë ndaj tij ushtron dhunë një mirëmbajtëse e çerdhes, pastaj sërish një edukatore e cila e tërheq në dysheme.

Geci, në shkrimin e tij të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se nipi i tij ka pësuar trauma të rënda psikikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore