Lajme

Prokuroria dhe policia: Është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për vrasjen e gruas në Prishtinë, intervistimi i dy personave po vazhdon


Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Pas arrestimit të dy personave të dyshuar për vrasjen e gruas në Prishtinë, të mërkurën e 29 nëntorit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media kanë deklaruar se janë duke vazhduar me hetimet, teksa të dyshuarit janë në fazën e intervistimit.

Nga policia, është sqaruar se arrestimi i dy personave, njëri që është bashkëshorti i viktimës, ka ardhur pas bastisjeve në Gjakovë.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”.

“Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejmë ligjore”, thuhet nga policia.

Teksa është pohuar se prokuroria në koordinim me policinë është duke vazhduar ndërrmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar që njëri nga të arrestuarit për vrasjën e Lirdona Murselit, është bashkëshorti i saj.

Lajmin e ka bërë të ditur Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.

Çka ndodhi?  

Dy persona janë arrestuar të cilët dyshohet për vrasjen e një gruaje L.A, të mërkurën me armë zjarri në Prishtinë përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Nga mediat është raportuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i saj, Naim Murseli – këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Lajmin për arrestimin e dy personave e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, ka thënë Ahmeti për AP.

Rasti është duke u hetuar si vrasje “me armë zjarr”.

Ngjarja e rëndë që kishte ndodhur më 29 nëntor fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, kishte thënë Ahmeti me 29 nëntor.

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

Ndërsa, policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetimet dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore