Kosova

Prokuroria autorizon Policinë për hetimin e vdekjes së pacientit në QKUK


Foto nga përfundimi i operacionit nga kirurgu Kushtrim Shala.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin që vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje”.

Në rast se do të ketë elemente të ndonjë vepre penale, Ulaj pohon se do të merren masa të tjera.

“Eventualisht ne rast te paraqitjes se elementeve te ndonjë vepre penale, do te veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë Ulaj për AP.

Përmes një reagimi të enjten e 5 janarit, kardiokirurgu Kushtrim Shala, kishte dalë me një sqarim në mbrëmje pak orë pasi u akuzua nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë për mungesë përvoje në rastin e operimit i cili cilësohet si i rrallë në Kosovë.

Ai ka kërkuar nga drejtori i Klinikës që të sillet në mënyrë profesionale duke kontaktuar drejtpërdrejt me të.

Kërkesë tjetër e tij ka qenë që “menaxhmenti në Kardiokirurgji ose të shkarkohet ose të hetohet”.

Operacioni i quajtur “David” të mërkurën ishte paraqitur si “sukses”, tek një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.

Siç e kishte shpjeguar edhe vetë mjeku në rrjetin social ‘Facebook’, “ky është nga operacionet më komplekse”.

Lajmin për Albanian Post, se pacienti ka ndërruar jetë e kishte konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Brahimaj, tha se “rasti do të hetohet”, ndërsa “masat do të ndërmerrën konform rregulloreve në fuqi”.

“Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Do të ndërmerren masa konform rregulloreve”.

Drejtori sqaroi se mjeku ka qenë vetë përgjegjës për operacionin, por që nuk e ka pasur përvojën.

“Ka qenë vetë kujdestar, personi vetë vendos për çfarë operacioni dhe çfarë lloj operacioni dhe të nesërmen raporton për punën që ka bërë, masat mund të ndërmerren nëse ka pasur shkelje që s’ka qenë konform me rregulloren dhe kodin profesional”.

I përfshirë në këtë rast ka qenë edhe kirurgu Endrit Shala.

Thirrje që ky rast të trajtohet me seriozitet ka bërë edhe Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra.

“OMK duhet t’a trajtoj seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale. Në shëndetësi komplikimet gjithmonë janë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka publikuar edhe disa nene të Kodit Penal të cilat i përcaktojnë dënimet me burg në rast se konstatohen shkelje të tilla profesionale.

Drejtori i Kardiokirurgjisë pas vdekjes së pacientit: Kirurgu s’kishte përvojë, rasti do të hetohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore