Drejtori i Kardiokirurgjisë pas vdekjes së pacientit: Kirurgu s’kishte përvojë, rasti do të hetohet

SHFLETO

Foto nga përfundimi i operacionit nga kirurgu Kushtrim Shala.

 

Altina Marmullaku
05.01.2023 15:03
Loading Icons...

Kirurgu Kushtrim Shala, ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvojë për ta kryer, me çrast pacienti ka ndërruar jetë pas disa orëve.

Ky operacion i quajtur “David” të mërkurën ishte paraqitur si “sukses”, tek një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.

Siç e kishte shpjeguar edhe vetë mjeku në rrjetin social ‘Facebook’, “ky është nga operacionet më komplekse”.

Lajmin për Albanian Post, se pacienti ka ndërruar jetë e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Brahimaj, tha se “rasti do të hetohet”, ndërsa “masat do të ndërmerrën konform rregulloreve në fuqi”.

Shkrimi i kirurgut Kushtrim Shala, në rrjetin social ‘Facebook’, ku e konsideroi operacionin si të suksesshëm.

“Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Do të ndërmerren masa konform rregulloreve”.

Drejtori sqaroi se mjeku ka qenë vetë përgjegjës për operacionin, por që nuk e ka pasur përvojën.

“Ka qenë vetë kujdestar, personi vetë vendos për çfarë operacioni dhe çfarë lloj operacioni dhe të nesërmen raporton për punën që ka bërë, masat mund të ndërmerren nëse ka pasur shkelje që s’ka qenë konform me rregulloren dhe kodin profesional”.

I përfshirë në këtë rast ka qenë edhe kirurgu Endrit Shala.

Albanian Post, ka kontaktuar edhe doktorin që ka kryer intervenimin, Kushtrim Shala, por që deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka pranuar përgjigje.

Thirrje që ky rast të trajtohet me seriozitet ka bërë edhe Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra.

“OMK duhet t’a trajtoj seriozisht këtë rast … sidomos pas deklaratës së drejtorit të klinikës! Nëse gjenden shkelje atëherë kemi të bëjmë me vepër penale. Në shëndetësi komplikimet gjithmonë janë pjesë e procesit të trajtimit … por, eksperimente me njerëz nuk guxojnë me u bë!”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka publikuar edhe disa nene të Kodit Penal të cilat i përcaktojnë dënimet me burg në rast se konstatohen shkelje të tilla profesionale.