Lajme

Projektligji për Paga i papranueshëm për gjyqësorin, mund të dërgohet në Kushtetuese


Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Miratimi i Projektligjit për Paga, i cili aktualisht ndodhet në diskutim publik dhe ishte argumenti më i fortë i Qeverisë së Kosovës se pse Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të duhej ta ndërpriste grevën e përgjithshme e nisur një muaj më parë, nuk do të jetë i lehtë.

Kjo pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk do të pranojë formën e Projektligjit në fjalë, i cili parasheh uljen e rrogave të gjyqtarëve deri në 40 për qind.

Kështu të paktën ka deklaruar në një intervistë për Kosova Press, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj.

Zogaj përveç Projektligjit për Paga ka shprehur rezerva edhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik, të cilët sipas tij rrezikojnë sistemin gjyqësor dhe pavarësinë e tij.

“Sipas draftit fillestar nën supozimin se koeficientet do të jenë ato që janë diskutuar edhe në publik, pagat e gjyqtarëve do të ulën deri në masën 40 për qind dhe kur kemi parasysh edhe inflacionin në masë 20 për qind kjo është definitivisht një qasje krejtësisht e papranueshme” ka thënë Zogaj.

“Përmes Ligjit për zyrtarët publik ne si institucion i pavarur duhet për çdo pozitë të marrim një konfirmim nga ministria përkatëse, diçka që e vështirëson shumë procesin e rekrutimit të zyrtarëve. Ne kemi dhënë argumente tona që janë edhe kushtetuese, por edhe referencat ndërkombëtare por edhe të brendshme që paga e gjyqtarit nuk mund të ulet”, ka shtuar ai.

Kreu i KGJK-së konsideron se ulja e pagave të gjyqtarëve do të ndikojë në humbjen e motivit për punë, por edhe do të rris rrezikun për korrupsion.

Zogaj u shpreh se Projektligjin për paga, por edhe atë për zyrtarët publik do e dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese në rast se miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore