Lajme

Pritet verdikti final ndaj Ratko Mlladiç për masakrën e Srebrenicës


Tribulani Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në të martën e tetë qershorit do të vendosë mbi apelin e ish-komandantit serb në Bosnjë, Ratko Mlladiç, lidhur me dënimin e tij për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mlladiç, në vitin 2017 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Srebrenicës gjatë vitit 1995, ku mbeten të vrarë tetë mijë burra dhe djem boshnjakë.

“Në seancën e tij të apelit në Hagë në muajin gusht të vitit të kaluar, prokurorët kërkuan dënimin e tij për një akuzë të mëtejshme gjenocidi, mirëpo mbrojtja e tij ka deklaruar se ai ndodhej larg Srebrenicës në kohën kur ka ndodhur masakra”, shkruan BBC.

Ratko Mlladiç, ish komandant i forcave serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë

Masakra e Srebrenicës, e kryer në një zonë që supozohej të ishte nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, ishte “mizoria më e keqe” në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Mlladiç, ishte një nga të dyshuarit e fundit që u përballë me gjyqin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë. Ai pas 16 vjetësh në arrati është arrestuar në vitin 2011.

Ai në vitin 2017 ishte shpallur fajtor për gjenocid mbi Srebrenciën.

Ndërsa, e njëjta gjykatë në vitin 2016 e dënoi ish-udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, “për planifikimin e masakrës së Srebrenicës, ndër krime të tjera”.

Dënimi i tij fillestar 40 vjeçar për gjenocid dhe krime të luftës u rrit më vonë në burgim të përjetshëm në 2019.

Ratko Mlladiç, ishte zbatuesi i një komploti politik, i krijuar në krye, “për të zhdukur” pjesë të popullsisë myslimane të Bosnjës.

Ai kaloi 16 vjet si i arratisur, mirëpo “shumë njerëz donin ta shihnin të gjallë për të parë gjykimin përfundimtar ligjor”, thuhet në shkrimin e BBC.

Megjithatë, seanca dëgjimore në gusht ishte vonuar për shkak të problemeve shëndetësore të Mlladiçit dhe kufizimet nga pandemia me COVID-19.

Duke treguar për Srebrenicën, ai pati deklaruar se kishte nënshkruar një marrëveshje me ushtrinë boshnjake për ta nderuar atë dhe zonat e tjera të mbrojtura dhe sugjeroi që të mos ishte fajtor për ndonjë shkelje të zonave.

Avokatja e prokurorisë, Laurel Baig, kishte thënë se Mlladiç ishte dënuar për disa nga “krimet më të urryera të Shekullit 20”.

“Mlladiç ishte në krye të operacionit të Srebrenicës. Ai përdori forcat nën komandën e tij për të ekzekutuar mijëra burra dhe djem”, thoshte Baig.

Ndërsa në anën tjetër, avokati mbrojtës i Mlladiç, mohonte që klienti i tij të ketë luajtur rol në këtë masakër duke thënë se “ai nuk është një horr”.

“Ai ishte dikush që në çdo kohë po përpiqej të ndihmonte KB për të bërë punën që nuk mund ta bënte në Srebrenica në një niveli humanitar”, pohonte avokati.

Në mes viteve 1991/99, shteti socialist i Jugosllavisë ishte shpërbërë në njësi të veçanta që mbulonin territoret e asaj kohe të Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë.

Nga të gjitha konfliktet, lufta në Bosnjë ishte më e përgjakshmja pasi, etnikisht dhe fetarisht, ishte më e ndara.

Më shumë se një milion boshnjakë dhe kroatë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në të ashtuquajturën spastrim etnik. Gjatë asaj lufte mbetën të vrarë rreth 100 mijë njerëz.

Në fund të luftës në 1995, Mlladiç u fsheh dhe jetoi në Serbi. Ai u arrestua në shtëpinë e një familjari në pjesën veriore të Serbisë në vitin 2011.

Pllakë përkujtimore për Nina Zeljkoviç, një vajzë 12-vjeçare e cila është një nga fëmijët e fundit të vrarë në muzg të rrethimit të Sarajevës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore