Lajme

Prishtina komuna e parë që instalon mbushësit elektrik për automjete


Mbushësit elektrik për automjete

Në Prishtinë është bërë inaugurimi i tri mbushësve elektrik për vetura, ky shërbim do të ofrohet falas për qytetarët.

Gjatë inaugurimit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ky projekt u jep qytetarëve mundësi të mira dhe e zhvillon qytetin.

“Sot po e bëjmë përurimin e stacioneve të para  të mbushësve për makinat elektrike në bashkëpunim me Procredit Bank, këtë projekt e kemi nisur gati që një kohë, me idenë që ta ndihmojmë qytetin”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu ka potencuar se Prishtina është pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pas 1 viti punë.

“Prishtina pas një punë 1 vjeçare hyn në grupin qyteteve të BERZh-it, dhe ku do ketë projekte të mëdha, përfshirë këtu edhe autobusët elektrikë, që për herë të parë janë në Kosovë si dhe projekte të tjera shumë të rëndësishme”, tha Ahmeti.

Ndërsa Claus Peter Zeitinger dhe ProCredit Bank, thanë se është i rëndësishme realizimi i këtij projekti duke i pasur parasysh përvojat personale.

“Është kënaqësi të jemi këtu, në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, dhe është lehtësi e madhe, duke nisur nga përvojat personale”, tha Zeitinger.

Po ashtu, kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parketing”, Liridon Restelica është shprehur se ky projekt ka qenë i nevojshëm.

“Është përuruar ky stacion, ku ne e kemi përkrahur këtë projekt, dhe është stacioni i parë, dhe këtë herë akullin e ka thyer Procredit Bank. Andaj ftoj të gjithë qytetarët të pajisen me kartela dhe ta kenë parkingun falas për mbushje”.

Të enjten Komuna e Prishtinës, bëri të ditur përmes një njoftimi në Facebook se ky projekt po realizohet me qëllim për të mbrojtur ambientin.

“Komuna e Prishtinës, në vazhdën e përpjekjeve për të mbrojtur ambientin në kryeqytet, bëhet Komuna e parë në Kosovë që instalon mbushësit elektrik për automjete, pa pagesë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Veturat elektrike eliminojnë nevojën për përdorimin e lëndëve djegëse, duke rritur kështu përpjekjet për zvogëlimin e përhapjes së dioksidit të karbonit në ambient.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore