Lajme

Prishtina do të vendos 18 pika ushqyese për qentë endacakë


Ilustrim.

Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur se ka nisur procedurat e para për montimin e pikave ushqyese për qentë endacakë.

Kjo me qëllim për të menaxhuar qentë endacakë brenda territorit të komunës.

Në njoftimin për dhënie të kontratës, bëhet e ditur se komuna ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 78 mijë euro për montimin dhe furnizimin e 18 pikave ushqyese për qentë endacakë.

Bazuar në të dhënat nga zyra e prokurimit, kontrata është negociuar pa publikim paraprak të njoftimit, derisa kohëzgjatja e saj është për 12 muaj.

Komuna e Prishtinës.

Në kontratë përfshihen shërbimet si: Furnizmi, shpërndarja e ushqimit për qentë endacak, montimi dhe ndërtimi i 18 pikave ushqyese.

Pjesë e këtij grupi janë një ekip i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të pushtetit Lokal, Ministrisë së Bujqësisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Ndryshe, më 18 shkurt të këtij viti, kryetari i Komunës, Përparim Rama miratoi vendimin për formimin e grupit punues për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë.

Ndërsa, projekti për pikat ushqyese është nisur fillimisht nga qeverisja e Shpend Ahmetit, në fillim të vitit 2021.

Komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë me vlerë mbi 100 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore