Lajme

Prifti i pakujdesshëm që përdori kamerdaren si altar


Një prift që kremtoi meshën në det duke përdorur një kamerdare si altar është vënë nën hetim nga autoritetet italiane.

At Mattia Bernasconi, 36 vjeç, nga kryepeshkopata e Milanos, ka treguar se kishte planifikuar të zhvillonte ceremoninë e së dielës midis pemëve buzë plazhit në Crotone, Italia jugore.

Kjo pasi kishte dhënë ndihmën e tij në një kamp veror njëjavor për nxënësit e shkollave të mesme të organizuar nga Libera, një organizatë antimafia.

Meqë nuk arriti të gjente hije, Bernasconi ka treguar se një familje aty pranë ofroi përdorimin e kamerdares dhe prifti shkoi në ujë, duke kryer shërbimin me rroba banje.

Këtë javë, pasi fotot u bebe virale, kryepeshkopata lokale katolike bëri thirrje për “respekt”.

“Në disa raste të veçanta është e mundur të kremtohet mesha jashtë një kishe”, ka thënë në një deklaratë kryepeshkopata e Crotone-Santa Severina.

“Por është gjithmonë e nevojshme të kontaktohen udhëheqësit kishtarë, për të këshilluar njëri-tjetrin për mënyrën më të përshtatshme për të kryer një festë të tillë”, ka vijuar deklarata.

Giuseppe Capoccia, kryeprokurori i qytetit të Crotone, ka thënë se prifti po hetohej për “fyerje” të këtij shërbimi fetar.

Sakaq, vetë Bernasconi i ka mbrojtur veprimet e tij teksa ka kërkuar falje për çdo shkelje, duke thënë se sjellja e tij ishte “ndoshta e pakujdesshme”.

Dhe se nuk do ta bënte më.

“Nuk ishte qëllimi im të banalizoja eukaristinë … ishte thjesht mesha në fund të një jave pune”, ka thënë ai.

“Por simbolet janë të forta, është e vërtetë, dhe ato flasin, ndonjëherë në një mënyrë tjetër. Ishte naive nga ana ime që të mos u jepja peshën e duhur”, ka shtuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore