Lajme

Pretendohet se produktet Olaplex shkaktojnë rënie të flokëve


Olaplex, kompania e njohur e kujdesit të flokëve, është paditur nga 28 gra që pretendojnë se produktet shkaktojnë rënie të flokëve.

Gama e Olaplex përfshin shampo, kondicioner dhe trajtime që pretendojnë se “riparojnë lidhjet e thyera dhe rigjenerojnë flokët” në mënyrë të sigurt.

Por, sipas padisë, Olaplex përdor kimikate të dëmshme që i bëjnë flokët e vajzave dhe grave në një gjendje më të keqe.

Megjithatë, kompania ka nxjerrë rezultatet e testit që tregojnë se produktet janë të sigurta.

“Ne jemi të përgatitur të mbrojmë me forcë kompaninë tonë, markën tonë dhe produktet tona kundër këtyre akuzave të pabaza”, thuhet në një deklaratë në Instagram.

Ndërkohë, Olaplex nuk ka tërhequr asnjë nga produktet në vazhdën e padisë.

E prezantuar në Kaliforni në vitin 2014, kompania pretendon se produktet e saj janë vërtetuar shkencërisht se riparojnë flokët e dëmtuar.

Produktet e saj shiten kryesisht për larjen dhe trajtimin e flokëve të dekoloruar dhe teksa janë gjerësisht të disponueshme për publikun, disa produkte u shiten vetëm profesionistëve të trajnuar të flokëve.

Në shumë sallone anembanë botës ofrohet – me një çmim shtesë – si trajtim për ato që lyejnë flokët.

Kompania ka pasur sukses të madh dhe është mbështetur nga të famshëm, duke përfshirë Kim Kardashian dhe Drew Barrymore.

Padia, e paraqitur javën e kaluar në një gjykatë të qarkut në Kaliforni, pretendon se flokët e paditëseve u lanë “të thatë, të brishtë, të ngatërruar dhe të dobët”.

Paditësit po kërkojnë kolektivisht 75 mijë dollarë si dëmshpërblim.

Po ashtu padia pretendon se produktet Olaplex përmbajnë lilial dhe panthenol, komponime kimike që mund të çojnë në humbje të flokëve dhe probleme të tjera si lëkura e dëmtuar.

Lilial dikur përdorej si parfum në kozmetikë, derisa Bashkimi Evropian e ndaloi atë nga marsi 2022 për shkak të ndikimit të tij në fertilitet.

Olaplex ka deklaruar se e hoqi përbërësin nga produktet e saj globalisht, megjithatë padia pretendon se ende po shet produktet më të vjetra që përmbajnë lilial.

Paditëset kanë treguar se kanë shqyrtuar me kujdes çdo faktor tjetër që mund të ketë shkaktuar rënien e flokëve dhe gjendjen e kokës së grave, por zbuluan se “vetëm produktet janë fajtore”.

Por Olaplex i ka mohuar me forcë akuzat, duke këmbëngulur se gama e tij e produkteve “nuk shkakton rënie të flokëve apo ndarje të flokëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore