Lajme

Pretendimet e SHBA-ve: Rusia planifikon një video false si pretekst për pushtimin e Ukrainës


Zyrtarët amerikanë po pretendojnë se kanë prova që dëshmojnë për një plan të mundshëm rus.

Sipas tyre, rusët po montojnë një video false të një sulmi ukrainas.

Këtë më pas do ta përdorin si pretekst për “pushtimin e shumëpritur”.

Komploti i supozuar përfshin përdorimin e kufomave, pamjet e ndërtesave të hedhura në erë, pajisjeve të rreme ushtarake ukrainase dhe dronët e prodhimit turk.

Nuk do të mungojnë as aktorët që luajnë rolin e vajtuesve rusishtfolës.

“Ne nuk e dimë përfundimisht nëse kjo do të jetë rruga që ata do të marrin, por ne e dimë se ky është një opsion në shqyrtim”, tha zëvendëskëshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jonathan Finer.

Ai shtoi se videot “do të përfshijë aktorë që luajnë vajtues, për njerëzit që vriten në një ngjarje që do ta kishin krijuar vetë”.

“Kjo do të përfshinte vendosjen e kufomave për të përfaqësuar trupat që supozohet se janë vrarë”, shpjegoi Finer.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se kjo video do të tregonte një sulm ukrainas në territorin rus ose njerëzit rusishtfolës në Ukrainën lindore dhe do të ishte “shumë grafike”.

Sipas tij, ky plan ka mbështetjen e Kremlinit, bazuar kjo në veprimet e mëparshme të Qeverisë ruse.

Dronët turkë do të ishin si pretekst për të implikuar NATO-n.

Këto pretendime vijnë në një kohë kur mes Rusisë dhe SHBA-ve po bëhet një luftë nervash.

Zyrtarët e administratës thanë se plani ishte të përdorej videoja si dëshmi e gjenocidit ukrainas kundër rusëve për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake ruse.

Duke u bërë publike, SHBA-të po shprespjnë që ta ndalojë ose ngadalësojë këtë plan të Moskës.

Finer ravijëzoi se “puna për Rusinë do të vështirësohej”.

Prestigjiozet “New York Times” dhe “Washington Post” publikuan fillimisht versionet e llogarisë së dhënë nga zyrtarët e nuk dhanë prova për pretendimet e SHBA-ve.

Nga ana tjetër Mbretëria e Bashkuar tha se ishte dakord me vlerësimin e SHBA-ve, pasi kishte kryer analizën e saj të raporteve të inteligjencës.

Të dyja vendet ndajnë në mënyrë rutinore inteligjencën si pjesë e rrjetit më të gjerë Five Eyes – dhe Londra ka qenë po aq e gatshme sa Washingtoni për të nxjerrë në pah atë që të dy e shohin si një kërcënim akut rus për Ukrainën.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, theksoi se zbulimet ishin “provë e qartë dhe tronditëse e agresionit të paprovokuar të Rusisë dhe aktivitetit të fshehtë për të destabilizuar Ukrainën”.

“Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të ekspozojnë nënshtrimin dhe propagandën ruse dhe ta thërrasin atë për atë që është”, ishte mesazhi i saj.

SHBA-të dhe Britania e Madhe kanë pretenduar se Rusia ka vendosur operativë brenda Ukrainës për të organizuar sulme dhe ka rekrutuar ukrainas për të marrë nën kontroll një Qeveri kukull, që do të bashkëpunonte me forcat pushtuese ruse.

Ndërsa grumbullonin trupa rreth Ukrainës, zyrtarët rusë kanë bërë pretendime të përsëritura, pa prova, se Kievi po planifikonte të sulmonte Rusinë.

Javën e kaluar, një udhëheqës separatist i mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore, Denis Pushilin, tha se Ukraina kishte plane për të nisur një sulm kimik në rajonin separatist.

Pretendimet e së enjtes ishin të fundit në një seri informimesh të SHBA-ve mbi vlerësimet e inteligjencës amerikane.

Fundjavën e kaluar, agjencitë e lajmeve “Reuters” dhe “CNN” cituan zyrtarë të lartë amerikanë që pretendonin se Rusia kishte zhvendosur furnizimet me gjak pranë kufirit, duke treguar një sulm të mundshëm ushtarak.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, denoncoi pretendimin për furnizim me gjak, duke e quajtur atë një provokim të krijuar “për të përhapur panik dhe frikë në shoqërinë tonë”.

Të enjten, ajo e tha se e kishte kontrolluar atë pretendim me agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat kishin burimet e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore