Sport

Prestigjiozja spanjolle “AS” e quan mbretëreshë Kosovare Asllanin


Gazeta spanjolle, “AS” e ka quajtur mbretëreshë futbollisten me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllanin.

“AS” i ka kushtuar një shkrim të veçantë futbollistes kosovare, që u rikthye ditë më parë, pas një dëmtimi që e mbajti jashtë fushave për disa javë.

“‘Mbretëresha’ suedeze është rikthyer me gola vendimtarë për madrilenët”, shkruhet në titullin e gazetës “AS”.

Sulmuesja kosovare u rikthye fundjavën e kaluar dhe luajti 54 minuta kundër Villarreal-it, derisa startoi të mërkurën në Ligën e Kampionëve duke shënuar dy gola në fitoren 3:0 të Realit kundër skuadrës islandeze, FC Breidablik.

“AS” gjithashtu shkruan se si sulmuesja 32 vjeçare ka punuar shumë që të rikthehet nga lëndimi dhe se ajo tashmë është gati për EL Clasico-n ndaj Barcelonës, që do të zhvillohet këtë fundjavë.

Kosovarja kishte munguar në fushë, që nga data 25 shtator, kur u lëndua në ndeshjen ndaj Granadilla Tenerife.

Kujtojmë që ajo është njëra ndër futbollistet kryesore te Real Madrid-it, e cila ishte golashënuesja më e mirë e skuadrës në edicionin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore