Lajme

Presidentja Osmani uron Fitër Bajramin: “Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë”


Vjosa Osmani, President e Kosovës

“Uroj që ky Bajram të kalojë në frymën e solidaritetit, afërsisë dhe zemërgjerësisë, të cilën populli ynë e kultivon ndër shekuj”, ka nisur urimin për festën e Fitër Bajramit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“E kalofshi këtë festë me të afërmit tuaj në paqe e harmoni dhe i ndafshi të mirat me ta, me miqtë dhe fqinjët tuaj. Frymën solidare duhet ta dëshmojmë çdoherë, e posaçërisht në festat si kjo, kur duhet t`ua zgjasim dorën njerëzve në nevojë”, ka uruar Osmani.

Ajo ka shtuar se kjo festë është, poashtu mundësi e mirë për forcimin e mirëkuptimit, afërsisë ndërnjerëzore me dëshirën e përbashkët për zhvillimin e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. “Me fat Fitër Bajrami!”, ka thënë Osmani.

“Le të marrim të gjithë nga pak nga përditshmëria e muajit të Ramazanit dhe ta bëjmë përditshmëri për tërë vitin. Agjërimi le të na bëjë më falënderues për begatitë. Vetëpërmbajtja le të na bëjë më të disiplinuar ndaj lakmisë. Sakrifica le të na bëjë më solidarë me njëri-tjetrin”, ka uruar edhe Kryeministri i Kosovws, Albin Kurti.

Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë këtë të hënë festën e Fitër-Bajramit.

Në Kosovë, manifestimi qendror mbahet në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.

Namazi i Bajramit u fal në ora 06:09, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër-Bajramit e mbajti Myftiu Naim Tërnava, i cili ju drejtua opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e Fitër-Bajramit, Kryesia e BIK-ut organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore