Shqipëria

Presidenti Meta dekreton me shpallje tre ligje


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar me shpallje tre ligje.

Ato kanë në fokus shtyrjen e afateve të vlefshmërisë së bonove, forcimin e rregullave mjedisore dhe angazhimin e institucioneve për promovimin e turizmit të qëndrueshëm.

Ligjin nr. 14/2022 “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”.

Si dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar”.

Ndryshimet e bëra vlerësohen të nevojshme pasi synojnë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë deri më 31.12.2023, të bonove dhe lekëve të privatizimit.

Këtë, duke krijuar mundësinë për personat që zotërojnë bono e lekë privatizimi, që t’i përdorin ato edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Gjithashtu edhe Ligjin nr. 15/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”.

Referuar presidencës, ndryshimet synojnë forcimin e rregullave për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe parandalimi e hyrjes dhe përhapjes së dëmtuesve të rregulluar karantinorë dhe jokarantinorë.

Po ashtu dekretimin e Ligjit nr. 18/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”.

Referuar njoftimit të institucionit, aderimi i Shqipërisë në “Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj” kërkon angazhimin e qëndrueshëm të të gjitha institucioneve për promovimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Dhe se në veçanti, duhet të jenë autoritetet publike që të sigurojnë mbrojtje të vazhdueshme dhe siguri për turistët e huaj, si dhe angazhim në forcimin e burimeve të turizmit dhe zhvillimit të politikave të qëndrueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore