Shqipëria

Presidenti i ri/ Bylykbashi “dënon” marrëveshjen e Alibeajt me mazhorancën


Përfaqësuesi i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në një konferencë për mediat të enjten e 19 majit, ka dënuar sërish marrëveshjen opozitë-mazhorancë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kujtojmë se katër Grupet Parlamentare një ditë më parë kanë zhvilluar një takim për të propozuar emrat si kandidatë për President.

Në krye të Grupit Parlamentar të PD-së është Enkelejd Alibeaj. Por këtë të fundit nga Komisioni i Rithemelimit nuk e njeh dhe e ka shkarkuar nga kjo detyrë më 30 prill në Kuvendin Kombëtar.

“Opozita nuk ka nevojë për marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo është në Kushtetutë. Partia demokratike e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe t’i dorëzojë presidentin Edi Ramës”, u shpreh Bylykbashi.

Alibeaj në takimin e zhvilluar një ditë më parë më kreun e Grupit Parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla. Ky i fundit i bëri të qartë Alibeajt se tre raundet e para propozimet do paraqiten vetëm nga opozita.

Sipas Bylykbashit, Alibeaj e pranoi marrëveshjen që i ofroi Balla “për llogari të Ramës”.

“Pa asnjë tagër ka thirrur sot deputetët e PD-së që të legalizojë marrëveshjen e tij personale me Ramën”, u shpreh Bylykbashi.

Kujtojmë se deputetët e Rithemelimit janë kundër përfshirjes së opozitës në procesin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Një ditë më parë pjesë e takimit opozitë mazhorancë, ishin edhe Jorida Tabaku, Arbi Agallaiu, Fatmir Mediu, Agron Duka, Mesila Doda, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.

Ata ranë dakord që deri në raundin e tretë, propozimet do i bëjë vetëm opozita.

Raundi i parë për Presidentin e Republikës, pavarësisht se nuk pati asnjë kandidaturë të propozuar, u votua në Parlament.

Ndërsa, kandidaturat për raundin e dytë, duhet të dorëzohen brenda ditës së dielë të 22 majit, deri në orën 16:00.

Më pas, të hënën e 23 majit, pritet të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht, për të vlerësuar kandidaturat dhe për të kaluar votimin në rend dite.

Ky i fundit, është caktuar po më 23 maj në orën 18:00 – afat ky i fundit sa i përket limitit kushtetues për raundin e dytë të votimit.

Ndër emrat e përfolur nga radhët e opozitës, janë ato të Visar Zhitit dhe Neritan Cekës.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022. Në krye të shtetit që prej 2017-ës është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore