Një marrëveshje është arritur mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike mbi propozimin e emrave për President të Republikës, ku dy raundet e mbetura, në të cilat kërkohet shumicë e cilësuar për të votuar kreun e ri të shtetit, do t’i takojnë opozitës.
Këtë kërkesë e ka paraqitur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, karshi homologut të tij nga shumica, Taulant Ballës.
Mirëpo, pavarësisht marrëveshjes së arritur, Alibeaj e ka theksuar se në rast të shkeljes së rregullave, marrëveshja do të quhet e mbyllur dhe nuk do të ketë tryeza mes palëve.
Një nxitje për të pasur një akord të tillë edhe kreu i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, i cili gjatë mbledhjes, e theksoi se një proces pa emra, është një proces tërësisht avantazhues për socialistët.
Këta të fundit, në rast se tre raundet e para të votimit digjen, kanë mundësinë në raundin e katërt ta zgjedhin presidentin me shumicë të thjeshtë votash.
Raundi i parë për Presidentin e Republikës, pavarësisht se nuk pati asnjë kandidaturë të propozuar, u votua në Parlament.
Ndërsa, kandidaturat për raundin e dytë, duhet të dorëzohen brenda ditës së dielë të 22 majit, deri në orën 16:00.
Më pas, të hënën e 23 majit, pritet të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht, për të vlerësuar kandidaturat dhe për të kaluar votimin në rend dite.
Ky i fundit, është caktuar po më 23 maj në orën 18:00 – afat ky i fundit sa i përket limitit kushtetues për raundin e dytë të votimit.
Ndër emrat e përfolur nga radhët e opozitës, janë ato të Visar Zhitit dhe Neritan Cekës.