Shqipëria

Presidenti i ri/ Boçi për bisedimet PS-PD: Janë false, Alibeaj jo i mandatuar për të negociuar


Deputeti i Partisë Demokratike (PD), njëkohësisht edhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Luçiano Boçi, i ka cilësuar false bisedimet mes Partisë Socialiste (PS) dhe deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Sipas tij, Alibeaj nuk është mandatuar nga PD-ja për të marrë pjesë në negociata.

Boçi, i cili është mandatuar nga Komisioni i Rithemelimit për të negociuar për presidentin e ri, gjatë një prononcimi për mediat, tha se procesi që kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, po kryen me Alibeajn është një “tallje”.

“Zgjidhja është sui generis. Dikush nga mazhoranca ka propozuar se opozita mund të ketë kandidat në tre raundet e para, ndërsa në raundet e tjera nuk mund të ketë. Mazhoranca, që i ka votat, e ruan propozimin e saj për raundet e katërt dhe të pestë. Pse duhet të ndërtojmë një proces të tillë tallës?”.

Boçi gjithashtu shtoi se Alibeaj po merr pjesë në negociata, por në fakt nuk është mandatuar nga opozita.

“Nga ana tjetër, Kushtetuta e thotë qartë se negociatat janë tërësisht politike, jo të grupeve parlamentare. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali janë të mandatuar nga partia, ndërsa Alibeaj e kemi thënë, nuk ka targer, të drejtë, të jetë përfaqësuesi i opozitës. Ai mund të jetë deputet i thjeshtë dhe e ka mbaruar misionin e tij si kryetar i Grupit Parlamentar. Nuk bëhet fjalë për reformë zgjedhore”.

Nga ana tjetër, Boçi shtoi se marrëveshja mbi propozimin e emrave për president të Republikës, ku dy raundet e mbetura, në të cilat kërkohet shumicë e cilësuar për të votuar kreun e ri të shtetit, do t’i takojnë opozitës, është antikushtetues.

“Vendimi i sotëm është antikushtetues. Askush s’mund t’i heqë të drejtën opozitës për të pasur kandidatë në 5 raundet, e kjo zgjidhje nuk është parë asnjëherë në Shqipëri ku dikush nga mazhoranca, si klloçka që mbledh zogjtë, ka përcaktuar me detyrim që opozita mund të ketë kandidat në 3 raunde e më pas nuk mund të ketë”.

Kjo sepse, sipas deputetit, mazhoranca e ruan propozimin e saj për në raundin e katërt dhe të pestë, ku votimi është me shumicë të thjeshtë.

“Ironia është që opozita, që nuk ka votat, të themi për një votim të thjeshtë, ndërsa mazhoranca që i ka këto vota e ruan propozimin e saj për në raundin e katërt e pestë, ku votimi është me shumicë të thjeshtë, për të mos u futur më pas tek e drejta për të kryer negociata. Negociatat duhet të vijojnë në nivel politik”.

Mbledhja mes PS-së dhe PD-së

Një marrëveshje është arritur mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike mbi propozimin e emrave për President të Republikës, ku dy raundet e mbetura, në të cilat kërkohet shumicë e cilësuar për të votuar kreun e ri të shtetit, do t’i takojnë opozitës.

Këtë kërkesë e ka paraqitur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, karshi homologut të tij nga shumica, Taulant Ballës.

Mirëpo, pavarësisht marrëveshjes së arritur, Alibeaj e ka theksuar se, në rast të shkeljes së rregullave, marrëveshja do të quhet e mbyllur dhe nuk do të ketë tryeza mes palëve.

Një nxitje për të pasur një akord të tillë edhe kreu i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, i cili gjatë mbledhjes e theksoi se një proces pa emra, është një proces tërësisht avantazhues për socialistët.

Këta të fundit, në rast se tre raundet e para të votimit digjen, kanë mundësinë në raundin e katërt ta zgjedhin presidentin me shumicë të thjeshtë votash.

Raundi i parë për Presidentin e Republikës, pavarësisht se nuk pati asnjë kandidaturë të propozuar, u votua në Parlament.

Ndërsa, kandidaturat për raundin e dytë, duhet të dorëzohen brenda ditës së diel të 22 majit, deri në orën 16:00.

Më pas, të hënën e 23 majit pritet të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht, për të vlerësuar kandidaturat dhe për të kaluar votimin në rend dite.

Ky i fundit është caktuar po më 23 maj, në orën 18:00 – afat ky i fundit sa i përket limitit kushtetues për raundin e dytë të votimit.

Ndër emrat e përfolur nga radhët e opozitës janë ato të Visar Zhitit dhe Neritan Cekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore