Lajme

Presidenti i Brazilit dështoi në ndryshimin e sistemit zgjedhor


Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, të mërkurën e 11 gushtit ka pësuar një humbje në Kongres, pasi plani i tij për të ndryshuar sistemin aktual elektronik të votimit në zgjedhje në atë me një fletë votimi dështoi.

Propozimi ishte shumë më pak se shumica prej tre të pestave të kërkuar për një ndryshim kushtetues.

Bolsonaro, i cili po planifikon të kandidojë për një mandat të dytë vitin e ardhshëm, thotë se sistemi aktual është i hapur për mashtrim. Gjykata zgjedhore e ka hedhur poshtë akuzën si “dezinformim”.

Kritikët e udhëheqësit brazilian, të quajtur ” Trump of the Tropics” gjatë fushatës së tij, thonë se ai po përdor të njëjtat taktika si ish-presidenti amerikan Donald Trump për të pretenduar mashtrim të përhapur në rast se ai humb zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë Bolsonaro ka bërë fushatë për vite me radhë për një ndryshim në sistemin elektronik të votimit në Brazil. Ky sistem ka qenë në fuqi për 25 vjet dhe për të cilin ekspertët thonë se ka një histori solide.

Të martën, ndryshimi kushtetues  u miratua nga 229 prej 519 anëtarëve të dhomës së ulët të Kongresit. Duheshin 308 për të kaluar.

Ai ka kërkuar që të implementohet një sistem i përzier në të cilin një fletë printohet për çdo votë të hedhur në mënyrë elektronike.

Ai argumenton se një gjurmë letre që mund të kontrollohet publikisht do ta bënte mashtrimin më të vështirë.

Pasi fitoi raundin e parë të zgjedhjeve në vitin 2018 – por nuk arriti votat e nevojshme për të shmangur një raund të dytë – ai pretendoi se kishte pasur “probleme” me sistemin e votimit elektronik.  Kjo e fundit sipas tij i kishte “grabitur” fitoren e plotë.

Ai nuk dha asnjë dëshmi të mashtrimit të pretenduar dhe autoritetet elektorale të Brazilit thanë se nuk kishte probleme të mëdha.

Me zgjedhjet presidenciale pak më shumë se një vit larg dhe Bolsonaro ka mbetur prapa kandidatit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva në sondazhe – çështja është rishfaqur.

Në një transmetim dy orësh në median sociale Facebook më 29 korrik, presidenti Bolsonaro përsëriti pretendimet e tij se zgjedhjet e kaluara kishin qenë mashtruese.

Ndërsa më 1 gusht ai paralajmëroi se zgjedhjet presidenciale të vitit 2022 nuk do të mbaheshin “nëse nuk janë të pastra dhe demokratike”.

Në ditët pas vërejtjeve të tij kontroverse, si Gjykata e Lartë ashtu edhe ajo Zgjedhor në Brazil urdhëruan që ai të hetohej për komentet.

Ai është përballur me kritika mbi një paradë ushtarake që drejtoi vetëm disa orë para votimit në dhomën e ulët të Kongresit.

Ligjvënësit e opozitës thanë se parada ishte një përpjekje e pacipë për t’i frikësuar ata, por Bolsonaro tha se ishte planifikuar para se të ishte caktuar votimi.

Ishte hera e parë që tanket kaluan pranë pallatit presidencial që nga fundi i sundimit ushtarak në vitin 1985.

Bolsonaro dhe kriza e pushtetit të tij

Jair Bolsonaro, është duke u përballur me krizën më të madhe politike që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2019. Kjo ka ardhur pasi krerët e ushtrisë, marinës dhe forcës ajrore u larguan.

Popullariteti i tij ka rënë për shkak të neglizhencës dhe keqmenaxhimit të situatës së Covid-19.

Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, i cili erdhi në pushtet dy vjet më parë, ka kundërshtuar vazhdimisht masat e karantinës, duke argumentuar se dëmtimi i ekonomisë do të ishte më i keq se efektet e vetë coronavirus-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore