Lajme

Presidentët e rajonit takohen në Shkup, s’shihet Vuçiç


Foto: Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shkup, në prag të Procesit të Brdo-Brione, është takuar me nikoqirin e këtij samiti, Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe me presidentët e tjerë të rajonit.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në X, Osmani ka falënderuar presidentin maqedonas për pritjen.

“Mezi pres të diskutojmë hapat e përbashkët për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, përpjekjet për prosperitet në rajon dhe për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj euroatlantike”, shkroi.

Në fotografitë e postuar nga Osmani, shihen pothuajse të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ai i Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, por jo ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ata të presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës.

Osmani është duke qëndruar për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku do të marrë pjesë në takimin e procesit të Brdo–Brione, që këtë vit do të mbahet në Shkup.

Siç njofton presidenca, në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Këtë vit, bëhet me dije se temat qendrore janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Osmani, krahas presidentit maqedonas Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore