Lajme

Presidenca nën ngjyrat e flamurit amerikan


Flamuri amerikan i shfaqur mbi ndërtesen e Presidencës së Kosovës

Në mbrëmjen e së shtunës së 11 shtatorit në ndërtesën e Presidencës së Kosovës, është shfaqur flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në shenjë solidarizimi për viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001.

Gjatë ditës, përballë pllakës përkujtimore “Kosova kujton”, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zv.ambasadori amerikan, Nicholas J.Giacobbe, kanë bërë homazhe në kujtim të 2 mijë e 977 viktimave që kishin humbur jetën nga sulmet terroriste.

Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë ditës së shtunë në të gjitha kazermat e saja, flamujt i ka vënë në gjysmë shtizë.
Ndërsa Konsulli i Pëgjithshëm Frymëzim Isufaj, i shoqëruar nga stafi i Konsullatës në Nju-Jork, ka bërë homazhe te Memoriali 9/11.

“Bota e qytetëruar i dha terrorizmit goditjen e duhur atëherë, ndërkaq, sot, përkujtimi i viktimave simbolizon vullnetin e mirë për paqe e tolerancë. Populli i Kosovës ndan dhimbjen e madhe me familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm”, thuhet në njoftimin e konzullatës.

Nga sulmet terroriste të 11 shtatorit kishin mbetur të vdekur 2 mijë e 977 persona dhe ishin plagosur mijëra të tjerë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marr organizata Al-Kaida e cila drejtohej asokohe nga Osama Bin Laden.

Kosova aso kohe edhe pse ishte nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Institucioneve të Përkohshme të saja kishte dënuar sulmet terroriste dhe ishte rreshtuar përkrah vendeve perëndimore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore