Lajme

Presidenca e Kosovës deklarohet për skandalin mbi biografinë e Krasniqit


Ilustirm

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, tha se as presidentja e as stafi nuk kanë qenë të njoftuar për ndërhyrjen në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili akuzohet për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.

Në uebfaqen e Presidencës së Kosovës, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndaj të cilit Zyra e Prokurorit të Specialiuar (ZPS) në kuadër të Dhomave të Specializuara (DHSK) ngriti aktakuzë për krime të pretenduara lufte, u prezantua para publikut si “i arrestuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” në formën e kryer të mënyrës dëftore.

Kupina njoftoi se Presidenca e Kosovës kërkoi hetim nga Policia e Kosovës dhe përgjegjësi të plotë për këtë rast skandaloz, ku ish-kryekuvendari kosovar dhe pjesëtari i UCK-së, portretizohet sikur dikush që tashmë është shpallur fajtor për krime lufte, përfshirë ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për përgjegjësit, ndërsa kërkoi falje për situatën e krijuar.

“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Po ashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës – Njësia për Krime Kibernetike”, theksoi mes tjerash ai.

Krasniqi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai akuzohet për krime të pretenduara lufte nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale së bashku me tre ish-drejtues tjerë të UÇK-së. Në nisje të gjykimit në prill të vitit të kaluar në Hagë, katër ish-eprorët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës së ZPS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore