Lajme

Premtoi konferencë para gazetarëve me ambasadorin Berishaj, Gërvalla tash thotë se “i ka dhënë krejt përgjigjet Martini”


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

“Shumë shpejt do të organizojmë një konferencë për media me ambasadorin Berishaj ku do t’i përgjigjemi secilës pyetje nga gazetarët”, pati deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, muaj më parë, por tani, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, kur u pyet për konferencën e premtuar tha se “tashmë Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në Komisionin Parlamentar”.

“E kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar”, deklaroi Gërvalla, “e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë”.

“E kam parë edhe miratimin e anëtarëve të komisionit për deklaratat e ambasadorit Berishaj, gjatë asaj seancë dhe prandaj më habit shumë fakti pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëm në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën deklaratë të ambasadorit Berishaj, dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht”, deklaroi Gërvalla.

El Profesor Martin Berishaj – erdhi, konfirmoi pothuajse gjithçka, shkoi

Sipas Gërvallës, ambasadori se ka problem që t’u përgjigjet edhe pyetjeve gazetarëve të Kosovës, por s’po ka kohw të lirë.

“Unë nuk e besoj që ambasadori Berishaj e ka problem t’u japë përgjigje mediave tona, me siguri në një moment kur do të ketë më pak angazhime bilaterale, do të ju thërrasim dhe do të ju përgjigjemi në secilën pyetje pa asnjë lloj problemi, pa asnjë lloj refuzimi”.

“Por, mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin vetën ‘a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve’ apo ka kaluar kaq kohë… sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë, para se të vazhdojmë fushata me kampanja politike ndaj personave të caktuar”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman.

Gërvalla: Rajoni mjaft e ka një Republikë Serbe, nuk ka nevojë për një të dytë

Gërvalla, nga gazetarët u pyet edhe për shqyrtimin e modelit të Kroacisë për trajtimin e komuniteteve, duke thënë se presin nga serbët të jenë më seriozë në procesin e dialogut.

“Ne kemi trajtuar modelin e kemi parë, asnjë lloj Asociacioni, mekanizimi nuk mund të implementohet në Kosovë nëse shkel Kushtetutën tonë, dhe shkel funksionimin e shtetit tonë. Çfarë kemi parë në Bosnjë dhe Hercegovinë me serbët, nuk mund të ndodhë këtu”.

“Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe nuk ka nevojë për një të dytë. Të gjitha modelet që kemi parë, kemi konstatuar se Kushtetua e Kosovës u jep shumë më shumë të drejta komuniteteve”, tha ministrja.

Gjithashtu, me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, ka thënë se kanë diskutuar rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Liberalizimi i vizave, vendim i vonuar për Kosovën”

Gërvalla theksoi se gjatë diskutimeve të dy u pajtuan se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën “është i vonuar” dhe ka zgjatur padrejtësisht.

“Të dy u pajtuam që liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces që ka zgjatur padrejtësisht shumë. Përveç kësaj e urova për sukseset në politikën e jashtëm, hyrjen në zonën Schengen të cilat janë suksese të politikës së jashtme të Kroacisë”.

“E falënderova edhe për mbështetjen që i ka dhënë Kroacia, Kosovës që nga dita e parë e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gërvalla.

Teksa, ka bërë të ditur se kanë biseduar edhe për konsultime politike që do t’i kenë pas disa javësh.

“E falënderova për bashkëpunimin bilateral e kemi pasur një forum shumë të suksesshëm. Biseduam gjithashtu edhe për konsultimet politike që do t’i kemi pas disa javësh”.

Ministrja tutje potencoi se vizita e Radman në Kosovë është për një arsyeje tjetër, përveç bisedimeve për politikë dhe bashkëpunime mes dy shteteve.

“Por jo vizitë e ministrit të Jashtëm të Kroacisë lidhet sidomos me një datë shumë të shënuar për Kroacinë e cila është 720 vjetori e regjistrimit të parë zyrtare të diasporës kroate diku në Evropë dhe kjo ka ndodhur në Janjevë dhe prandaj nga kjo konferencë për shtyp ne do të shkojmë në Janjevë”.

“Dhe prandaj ne nga kjo konferencë për shtyp së bashku do të shkojmë në Janjevë”.

Më 6 maj të 2021, Radman kishte qenë për herë të fundit në Kosovë, i cili ishte shprehur kundër ndryshimit të kufijve.

“E përkrahim dialogun bilateral mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresojmë që të vijnë drejtë një zgjidhje. Kroacia është kundër çdo ndryshimi të kufijve në Lindje të Evropës. Shpresojmë që bisedimet të rifillojnë në qershor”, kishte deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë.

Duke shtuar se Kroacia i ka dhënë përkrahje të madhe Kosovës të kryqet në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore