Zgjedhjet në Kosovë

Premtimet e PDK-së, fokus kah ekonomia e zhvillimi


Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen me 14 shkurt, Partia Demokratike e Kosovës, njëjtë si partitë tjera, ka shpalosur programin e vet për qeverisje në katër vjetët e ardhshme.

Prioritetet kryesore që dalin nga programi i PDK-së, janë rreth rritjes ekonomike, vaksinimit të popullatës, kushte më të mira për punëtorët shëndetësorë dhe fokus më të madh te diaspora.

Ndërsa në drejtësi PDK ka paraparë formimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit.

Të gjitha prioritetet e caktuara nga kjo parti janë përmbledhur në programin e “Rimëkëmbjes”.

Nga PDK thonë se nëse ata vijnë në pushtet, rroga minimale më nuk do të jetë 170 euro, por 300. Gjithashtu, do të ketë rritje ekonomike për shtatë për qind.

Shtyllat kryesore të programit përfshinë: ekonominë, shëndetësinë, sundimin e ligjit dhe politikën e jashtme.

Ekonomi

PDK premton rritje ekonomike prej 5% deri në 7% përmes së cilës do ta mbështes sektorin privat, përfituesit e ndihmave sociale, pensionistët  si dhe të punësuarit në sektore private e publike.
Në planin e saj parasheh rritje të pagës minimale nga 170 euro, sa është momentalisht, në 300 euro.

Kjo parti gjithashtu premton se ngritje të mesatares do të ketë edhe në sferën e pensioneve, ku sipas Bedri Hamzës me 40% rritje do të përfitojnë pensionistët e moshës, ndërsa me 30% rritje përfitim do të kenë pensionistët kontributdhënës, pensionet e veteranëve të luftës si dhe të gjitha pensionet e tjera.

15 milionë euro nga buxheti i shtetit,  është shuma e linjës që PDK planifikon ta krijojë për çdo vit, me qëllim të ndihmës së të rinjve të cilët kanë ide biznesi apo vetëpunësimi.

Mjekësi

PDK premton se deri në fund të verës së këtij viti, me vaksinën anti-covid do të vaksinohen 70% e popullatës si dhe për çdo të infektuar me Covid-19 do të ndahet një shumë prej 250 eurove.

Ata gjithashtu premtojnë se prioritet të veçantë do t’i jepet projektit për spitalin e Prishtinës, ndërtimi i të cilit do të fillojë në gjashtë muajt e parë. Ky spital sipas Uran Ismailit, ndër të tjerash do të ketë 200 shtretër, katër salla operimi, 54 dhoma intervenimi si dhe mbi 200 veta personel mjekësor.

Rritje pagash PDK premton edhe për mantelbardhët, ku ata të profilit specialist do të kenë 1500 euro pagë mujore, kurse infermieret 650 euro.

50 milionë euro është shuma që kjo parti parasheh ta ndajë për blerjen e pajisjeve me qëllim të shtimit të kapaciteteve diagnostike dhe klinike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe spitalet e tjera të përgjithshme në komunat kryesore.

Drejtësi

PDK premton se në 100 ditëshin e parë do ta krijojë “Byronë Kombëtare të Hetimit”, koncept ky i një strukture hetimore që do të ketë policë e prokurorë hetues të cilët, llogari do t’i japin vetëm kësaj byroje dhe ligjit.

Puna kryesore e kësaj byroje sipas Abelard Tahirit, do të jetë luftimi i korrupsionit, ndjekjes së financave të dyshimta, identifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe të pashpjegueshme të çdo politikani zyrtar dhe kujtdo tjetër në Republikën e Kosovës.

Ndër të tjerash, PDK planifikon të jetë shumë strikte, ata zotohen se me anë të kësaj byroje, do të pezullojnë automatikisht çdo zyrtar të dyshuar për korrupsion dhe abuzim.

Diasporë

PDK premton se promovimi i diasporës dhe zhvillimi i një kornize konkrete e cila do ta mbështes zhvillimin kulturor, socio-ekonomik dhe politik të tyre, është një objektiv kyç i saj.

Kjo parti planifikon të miratojë një ligj për investimet nga diaspora, i cili do të sigurojë masa mbështetëse për investime, stimujt tatimor si dhe masa specifike të lehtësimit ose heqjes së taksave.

E për ta lehtësuar lidhjen me diasporën, Memli Krasniqi, premton investim në zgjerimin e infrastrukturës konsullore dhe krijimin e shërbimeve digjitale për të mundësuar shërbime konsullore më efektive dhe më të lira.

Këto janë disa nga shtyllat për “Rimëkëmbje” projektuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e opozitës parlamentare që nga zgjedhjet e gjashtë tetorit të 2019-ës.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore