Sport

Premier Liga zbret në fushë për javën e 28-të


Premier Liga angleze do të zbresë në fushë për javën e 28-të. Katër sfida janë programuar të luhen ditën e shtunë, duke filluar nga ora 13:30 dhe ajo përmbyllëse në orën 21:00.

Sfida hapëse e javës është ajo midis Burnley-t dhe Arsenal-it. Ndeshje e cila do të fillojë në orën 13:30 në “Turf Moor”.

Vendasit renditen në vendin e 15-të me 29 pikë, ndërsa miqtë mbajnë vendin e 10 me 37 pikë, por me një ndeshje më pak.

Ndeshja e fundit midis dy ekipeve në fazën e parë të Premier Ligës, ka përfunduar 0-1 për Burnley-n, që ishte udhëtues në “Emirates Stadium”.

Duke filluar nga ora 16:00, në “Bramall Lane” do të luhet sfida midis Sheffield United-it dhe Southampton-it.

Vendasit kanë 14 pikë dhe qëndrojnë në vendin e fundit të renditjes. Miqtë e Southampton-it kanë 30 pikë dhe renditen në vendin e 14-të.

Në ndeshjen e fundit midis tyre, Southampton-i vendas ia doli të fitonte me rezultatin 3-0.

Në orën 18:30, në “Villa Park” do të ndeshen Aston Villa dhe Wolverhampton-i. Vendasit renditen të nëntët në kampionat, me 39 pikë dhe me dy ndeshje më pak se Wolves-i, që gjendet në vendin e 12-të me 34 pikë.

Gjatë fazës së parë, ndeshja midis dy ekipeve, e luajtur në “Molineux Stadium” përfundoi 0-1 për Aston Villa-n.

Sfida që do të përmbyllë ndeshjet e së shtunës në Premier Ligë është ajo midis Brighton & Hove Albion-it dhe Leicester City-t.

Ndeshja do të fillojë në orën 21:00, në “American Express Community Stadium”. Vendasit renditen në vendin e 16-të me 26 pikë, në po kaq ndeshje. Miqtë, me një ndeshje më shumë, renditen në vendin e tretë me 50 pikë.

Në ndeshjen e parë mes tyre në “King Power Stadium”, Dhelprat fituan me rezultatin e pastër 3-0.

Ditën e diel dhe të hënë do të luhen sfidat e mbetura. Përkatësisht të dielën: West Brom-i kundër Newcastle-t, Liverpool-i kundër Fulham-it, Manchester City kundër Manchester United-it dhe Tottenham-i kundër Crystal Palace-t.

Të hënën luhen dy sfidat përmbyllëse të javës së 28-të në Premier Ligë. Chelsea kundër Everton-it dhe West Ham-i ndaj Leeds-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore