Sport

Premier League/ Të drejtat televizive në SHBA shiten për shumën rekord


Premier League angleze po përgatitet të shesë të drejtat televizive në SHBA për një shumë rekord. Vlera e marrëveshjes së re do të jetë 1.1 miliardë paund ose 1.3 miliardë euro.

Kjo është shifra më e madhe e paguar ndonjëherë për futbollin (soccer) në SHBA. Kontrata e të drejtave televizive do të jetë gjashtëvjeçare.

Në total, nga të drejtat televizive, brenda dhe jashtë territorit të Britanisë së Madhe, për tre sezonet e ardhshme, Premier League do të përfitojë 9 miliardë paund.

“NBC Sports”, ka që nga viti 2016 që transmeton ndeshjet e Premier League në SHBA dhe vitin që vjen kontrata përfundon. Vlera e saj ishte në shifrën e 740 milionë paundëve.

Pritshmëritë e “NBC Sports” janë që të marrin përsëri të drejtat televizive për transmetimin e Premier League edhe pse kontrata tashmë do të ketë vlerë shumë herë më të lartë. Por, edhe rivaliteti është shtuar, pasi në garë janë “ESPN” dhe “CBS”.

Njëkohësisht mund të ketë dhe një ndarje të transmetimit të ndeshjeve në katër paketa dhe secila nga kompanitë e lartëpërmendura të marrë të drejta.

“ESPN” këtë verë ka nënshkruar kontratë me La Liga-n, për të transmetuar ndeshjet e kampionatir spanjoll në SHBA. Marrëveshja është tetëvjeçare dhe kapë shifrën e 1.4 miliardë dollarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore