Kosova

Posta e Kosovës do të rris çmimet dhe shërbimet


Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilin po raporton Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës, u diskutua edhe për çmimet e shërbimeve postare.

Kryesuesja e bordit të Postës së Kosovës, Safija Beseni, ka bërë të ditur se  shumë shpejt posta, do të rris çmimet dhe shërbimet që ofron.

“Kemi bërë kërkesë për rritje se janë shumë të ulëta krahasim me tregun dhe krasim me inflacionin, qëllimi kryesor nuk ka me qenë të rritja por te përmasimi i shërbimeve dhe te gjetja e shërbimeve të reja dhe posta me rrjetin që e ka mundet me punu shumë ma mirë se që ka punuar deri më tani”.

Beseni ka bërë të ditur se do të analizohen edhe të ardhurat e shërbimeve në mënyrë që posta të mos varet më, nga qiratë.

“Të rriten të ardhurat përmes shërbimeve që mos të varet Posta prej qirave me u analizuar njësit të cilat janë duke funksionuar me humbje dhe ka shumë pika që vazhdimisht punojnë me humbje dhe diçka që nuk është tu gjeneruar të hyra të qëndrueshme”, ka thënë Beseni.

“Me i rishikua shërbimet të cilat momentalisht janë duke u ofruar dhe për t’i përmirësuar ato me i shtuar shërbimet të reja, jo ndoshta post bankën se gjendjen që është posta nuk e përballon as me asete as me staf”.

Po ashtu Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të Postës, Rafet Jashari, ka treguar se do të bëhen edhe dërgesat për blerjet online.

“Ne synojmë t’i i rrisim shërbimet dhe kemi koncentruar për blerjet elektronike dhe dërgesat të i dërgojmë të qytetari apo blerësi i cili kërkon ato dërgesa. Është një shërbim i cili është mjaftë atraktiv për Kosovën që postat private i përdorin shumë, fatkeqësisht deri tani te ne nuk është shfrytëzo kapacitetin njerëzorë që ne të jemi të parët dhe jo postat private”, ka deklaruar ai.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët zgjedhin operatorët privat se Posta e Kosovës nuk bënë dërgesa në shtëpitë e konsumatorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore