Sport

Portieri i Drenicës ftohet për herë të parë te Shqipëria


Portieri i skuadrës së Drenicës, Arlis Shala, është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Portieri 22-vjeçar është ftuar për ndeshjen miqësore që Shqipëria do ta zhvillojë në udhëtim te Arabia Saudite më 26 tetor.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kosovar, të cilët njoftuan se gardiani i tyre do të vishet për herë të parë kuqezi.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se gardiani i portës tonë, Arlis Shala, do jetë pjesë e kombëtares shqiptare në grumbullimin e radhës”, shkruan FC Drenica.

“Klubi FC Drenica ka për nder dhe krenari të liroj nga obligimet dhe ta vendos në gatishmëri për kombëtaren dhe uron më të mirën për Arlisin dhe Kombëtarën tonë”.

“Që në fillim ne besuam tek vlerat sportive te gardianit Arlis Shala dhe tashmë puna dhe besimi i dhënë po jep frytet e saj tek me nderë e krenari do jetë i gatshëm për të mbrojt ngjyrat tona kombëtare”, shkruhet në njoftimin e Drenicës.

Kujtojmë që pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen në këtë ndeshje, vijnë nga kampionati shqiptar, Abissnet Superiore dhe për shumicën është hera e parë që ftohen në përfaqësuesen kuqezi.

Nëntë prej tyre janë lojtarë që vijnë nga klube të huaja dhe shumica kanë qenë pjesë e rregullt e Kombëtares.

Pas kësaj ndeshje, Shqipëria do t’i zhvillojë dy takime miqësore në muajin nëntor. Fillimisht do të përballen me Italinë me 16 nëntor, pastaj tre ditë më vonë do të luajnë kundër Armenisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore