Lajme

Popullariteti i Kamala Harris në rënie, demokratët në alarm


Kamala Harris është bërë zëvendëspresidentja “më jopopullore që prej vitit 1970”.

Kështu tregojnë sondazhet e fundit, përcjell e përditshmja britanike “The Telegraph”.

Shifrat e sondazheve të Harris-it tregojnë se shumë amerikanë nuk e miratojnë performancën e saj të punës.

Sipas “The Telegraph”, Shtëpia e Bardhë synon ta vendosë zëvendëspresidenten vetëm në zona të caktuara për të bërë fushatë përpara zgjedhjeve afatmesme të Kongresit të vitit të ardhshëm.

Muajt ​​e parë zhgënjyes të mandatit të saj kanë shqetësuar gjithashtu strategët afatgjatë, shumë prej të cilëve kishin shpresuar se ajo do të kandidonte për president që në zgjedhjet e ardhshme.

Sondazhet

Dy sondazhet e fundit treguan se 46 për qind e amerikanëve e aprovonin punën e Harris-it, me 47 dhe 48 për qind që nuk e miratonin.

Në të kundërt, vlerësimi për Joe Biden shfaqet me një mesatare pëlqyeshmërie 51.3 për qind dhe mosmiratimi me 44.9 për qind.

Një nga elementët më shqetësues për Shtëpinë e Bardhë është papëlqyeshmëria e Harris-it midis të rinjve.

Një sondazh i “Economist/YouGov” (dy kompanive që kanë bashkëpunuar), u zbulua se 41 për qind e votuesve të moshës 18-29 vjeç kishin një pikëpamje “të pafavorshme” ndaj Harris, me vetëm 36 për qind që e shikonin atë “në mënyrë të favorshme”.

Harris po “përballet” gjithashtu me votuesit hispanikë, ndoshta për shkak të rolit të saj në drejtimin e politikës mbi kontrollin e kufirit amerikan.

Të premten mbrëma, si pjesë e planit të saj për të rritur pozitën e Harris, Shtëpia e Bardhë njoftoi se ajo do të bëhej zëvendësja e parë amerikane që viziton Vietnamin, në një lëvizje që synon të rrisë presionin ndaj Kinës.

Një shfaqje “e lëkundur” – në një intervistë televizive me NBC-në në qershor – çoi në grindje të ndihmësve në Shtëpinë e Bardhë dhe ka pasur raporte të shumta për mosfunksionim në zyrën e saj.

Historiku

I vetmi zëvendës i kohëve të fundit, që kishte vlerësime të ngjashme pas gjashtë muajsh, ishte Mike Pence.

Sipas “Gallup-it” (kompani analitike dhe këshilluese amerikane me qendër në Washington), 42.1 për qind e miratonin performancën e zotit Pence asokohe dhe 41.9 për qind nuk e aprovonin.

Biden, gjatë kohës kur ishte zëvendës, kishte një vlerësim miratimi mbi 50 për qind pas gjashtë muajsh. Para kësaj Dick Cheney dhe Al Gore, ishin gjatë viteve ’60 në të njëjtën fazë.

Edhe Dan Quayle, zëvendësi i nëpërkëmbur i George H.Ë. Bush, nuk gjendej në këtë situatë pas gjashtë muajsh.

Ai kishte një vlerësim miratimi prej 43 për qind dhe mosmiratim prej vetëm 22 për qind, me 34 për qind të pavendosur.

Vetë Bush ishte një zëvendës popullor nën presidencën e Ronald Reagan, ashtu si paraardhësi i tij Walter Mondale, i cili u bë zëvendës i Jimmy Carter në 1976.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore