Shqipëria

Policia zhvillon kontrolle në banesën e “Rrumit të Shijakut”


Policia ka kontrolluar disa ditë më parë banesën e Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe me nofkën “Rrumi i Shijakut”, me qëllim arrestimin e tij.

Uniformat blu kishin dyshime se i kërkuari nga drejtësia gjendej në banesën e tij, por pa rezultat.

Sipas informacioneve paraprake, aty ndodhej vëllai i të kërkuarit i cili është shoqëruar nga forcat e rendit dhe pasi është marrë në pyetje është lënë i lirë.

Gjatë veprimeve në zonë, policia ka kryer kontrolle të automjeteve dhe personave të dyshuar për aktivitet kriminal.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj “Rrumit të Shijakut”.

Laho dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, bëhej me dije se vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj Lahos.

Kujtojmë që ai i mbijetoi një atentati më 1 nëntor të vitit 2019, pasi u plagos ndërsa udhëtonte me ish-prokurorin Arian Ndoj.

“Rrumi i Shijakut” është duke u hetuar për tjetërsim masiv të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit në Durrës.

Gjatë hetimeve të këtij procedimi penal, prokuroria ka bërë të mundur evidentimin e një skeme të mirëfilltë kriminale në falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në vijën bregdetare.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi gjithashtu sekuestron preventive mbi një sipërfaqe toke prej rreth 200 mijë metrash katrorë.

Po ashtu, me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja ka vendosur sekuestron preventive mbi një sipërfaqe prej 203 mijë e 100 metrash katrorë me vendndodhje Shetaj, (Gjiri Lalëz) Durrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore