Shqipëria

Policia shpall në kërkim Rexhep Rrajën për plagosjen e dy personave në Krujë


Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim policor Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja për dhunën në Krujë, ku mbetën të plagosur dy persona.

Deri më tani, autoritetet kanë ndaluar për ngjarjen e rëndë të 6 korrikut katër persona dhe kanë shpallur në kërkim tre të tjerë.

“Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi R. Rr., për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shtetasi R. Rr., është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi i konsideroi të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë të enjten e 6 korrikut.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje”, shkruan zyrtari shqiptar në median sociale “Twitter”.

Sipas tij, çdo insinuatë tjetër “s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit” për të çuar autorët përpara drejtësisë.

Bëhet fjalë për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë janë shoqëruar shtetasit: I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L. Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore është bërë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.

Referuar njoftimit, materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore