Shqipëria

Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore


Në Tiranë vijojnë kontrollet e dedikuara, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Referuar Policisë Rrugore, rëndësi e veçantë i është kushtuar ndëshkimit të atyre drejtuesve të mjeteve që tentojnë të korruptojnë punonjësit e policisë me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e konstatuara.

Po ashtu edhe për ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.

Gjatë javës së kaluar, Policia Rrugore e Tiranës goditi 12 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.

Ndërkohë, 38 persona janë arrestuar dhe proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera.

Kurse 176 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia njofton se janë vendosur 6 mijë e 945 masa administrative, me një mesatare 992 masa në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mos vendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara.

Sakaq, janë bllokuar 23 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Gjithashtu janë hequr dy palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjeteve ose ishin të çregjistruara nga vendet e origjinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore