Lajme

Policia parandalon një rast kontrabande me emigrantë në Veri


Policia kufitare e Kosovës ka parandaluar një rast kontrabande me emigrantë në Veri.

Siç thuhet në komunikatë, njësia policore kufitare, në Piken Statike tek ura e Bistricës në Zveçan, më 21.07.2023, në ora 02:00, “kanë ndaluar dy automjete me targa vendore, të cilat drejtoheshin nga: A.S., (viti i lindjes 1984, mashkull kosovar) dhe G.Sh., (viti i lindjes 1998, mashkull kosovar)”.

“Policia gjatë kontrollit të automjeteve, ka vërejtur se në to ka shtetas të Sirisë dhe Egjiptit (emigrantë), të cilët po shfrytëzonin vendin tonë si vend transit për të kaluar në shtetet perëndimore”.

Lidhur me rastin, bëhet me dije se është njoftuar prokurori i shtetit dhe në koordinim me të është iniciuar rasti “Kontrabanda me emigrantë”.

“Rasti do të trajtohet nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Policore të Kufirit-Veriu. Kurse, me emigrantët, sipas procedurave të parapara, do të merren zyrtarët policorë nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së”.

Me aktvendim nga prokurori dy të dyshuarit e lartcekur, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Ndryshe, të premten është arrestuar një serb i cili dyshohet për posedim të lëndëve narkotike dhe i cili ishte në kërkim që nga viti 2018.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Verin, Veton Elshani.

“B.L ka pasur që të paraqitet në Prokurori për përdorim të lëndëve narkotike, por që nuk ishte paraqitur. I njëjti ka qenë në kërkim që nga viti 2018”.

“E kemi arrestuar të premten në Jarinjë”, ka thënë Elshani për AP.

Ai tutje ka sqaruar se është Prokuroria ajo që vendos nëse i njëjti do të ndalet në paraburgim për 48-orë.

“I mbetet Prokurorisë të vendos për masën e paraburgimit”.

Policia konfirmon arrestimin e serbit në Jarinjë: Po e kërkonim që nga 2018-ta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore