Lajme

Policia kroate kërkon të identifikojë gruan e gjetur pranë një shkëmbi të rrezikshëm


Në Kroaci, policia ka publikuar një fotografi të një gruaje për të cilën thotë se flet “anglishte të përsosur”, por nuk është në gjendje t’u tregojë se kush është dhe se si u gjet në një dalje të dhëmbëzuar të shkëmbit jashtë ishullit Krk.

Faqja “24Sata” e lajmeve ka nxjerrë se gruaja, e cila duket se është në të 60-at dhe ka plagë e mavijosje në fytyrë dhe trup, u pa për herë të parë nga një peshkatar në orën 10 të mëngjesit të së dielës së 19 shtatorit duke u ulur në një shkëmb në një gji pranë fshatit Soline, në veri të ishullit.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se i shqetësuar se varka e tij mund të rrëzohej nëse përpiqej ta shpëtonte vetë gruan, peshkatari lajmëroi policinë.

Kjo e fundit dërgoi një ekip emergjence shpëtimi, të cilët duhej të braktisnin automjetet e tyre dhe të ecnin më shumë se tre kilometra për të mbërritur tek ajo.

Mësohet se zyrtarët lokalë kanë thënë se gruaja, me flokë ngjyrë kafe deri në shpatull dhe me një kapele dielli ngjyrë rozë dhe pantallona të errëta me vija, nuk kishte dokumente ose telefon që mund të identifikohej.

Referuar zyrtarëve, ajo dukej se kishte kaluar disa netë jashtë në atë zonë, e cila vizitohet nga arinjtë dhe derrat e egër dhe ishte aq e dobët sa nuk ishte në gjendje të pinte ujë pa ndihmë.

Tanimë, gruaja po trajtohet në spital në Rijeka.

“Është shumë e çuditshme që ajo ishte aty. Është një pjesë jashtëzakonisht e paarritshme e gjirit, me gurë tmerrësisht të mprehtë, si brisqe që do të prisnin edhe gomën në thembrat e këpucëve”, ka treguar një banor vendas.

Ai ka vijuar se “përveç derrave të egër ose arinjve, të cilët dinë të lëvizin këtu në kërkim të ushqimit”, asgjë tjetër nuk shihet.

Një person normal “sigurisht që nuk mund të notonte në atë distancë, ai ka nevojë për forcë të jashtëzakonshme”, ka shtuar banori.

Kurse një banore e Soline ka treguar se gruaja nuk kishte qëndruar në fshat sepse ajo do të njihej, kurse një tjetër ka hamendësuar se ajo mund të ketë “humbur gjatë ecjes, ka rënë, është lënduar dhe ka humbur kujtesën nga një goditje në kokë”.

Ndërkohë, për të zbuluar identitetin e saj, policia po kalonte nëpër regjistrin e personave të zhdukur dhe po vizitonte hotele, komplekse apartamentesh, kampe dhe objekte të tjera pushimi në afërsi me shpresën se dikush do ta njohë atë.

Krk, një destinacion i popullarizuar turistik veçanërisht me pushuesit nga Gjermania jugore, Austria, Italia dhe Hungaria, është një nga ishujt më të mëdhenj në Adriatik, me një popullsi të përhershme prej afro 20 mijë njerëz.

Ndërsa pjesë të ishullit larg qyteteve dhe fshatrave të tij kryesore mbeten të largëta dhe të populluara rrallë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore