Lajme

Policia: Jarinja e Bërnjaku akoma të mbyllura për qarkullim


Policia ne Veri.

Edhe pse kanë kaluar 10 ditë që nga vendosja e barrikadave, përmes një komunikate për media Policia e Kosovës ka thënë se pikat kufitare në Jarinjë e Bernjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim.

Policia ka bërë të ditur se forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e saj.

“Që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbesin të mbyllura për qarkullim”.

‘Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Policia ne Veri.

Nga ky institucion është thënë se policia e Kosovës është duke u angazhuar me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve.

“Në këtë drejtim, bazuar në informacionet që posedon, Policia e Kosovës po bashkëpunon ngusht me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të RKS-së, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”.

“Policia e Kosovës vazhdon të jetë e mirëpritur nga qytetarët në nivel vendi, përfshirë edhe nga banorët në veri të vendit, të cilët bashkëpunojnë me njësitet policore, që ofrojnë siguri dhe shërbime policore për qytetarët pa dallime”.

Situata në Veri

Janë bërë dhjetë ditë që kur grupe serbësh në Veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç.

Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Pas ndërprerjes së mësimit prej një javë, nxënësit e shkollave fillore, nga e hëna janë në klasa, por me orë të shkurtuara.

Kurse, nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.

Ndërsa, në Veri është raportuar për situatë të qetë teksa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.

Por, protesta e disa qindra serbëve në anën serbe të pikës kufitare në Jarinjë është elementi i fundit destruktiv i situatës në Veri të Kosovës.

Mesazhi i KFOR-it megjithatë ishte i qartë.

Përmes një njoftimi për media te dielën thanë se kanë kapacitet dhe nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet më tej.

Të dielën kanë qarkulluar informacione se serbët po planifikojnë djegien e kabinave të pikave të kontrollit, siç kishte ndodhur në vitin 2011, prandaj, KFOR-i amerikan është mobilizuar dhe ka vënë edhe tela me gjemba në një pjesë, tela që nuk ishin vënë tash e sa vjet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se heqjen e barrikadave ia kanë lënë KFOR-it, por siç është kuptuar KFOR-i nuk do të ndërhyjë, sepse po pritet një  zgjidhje politike e situatës.

Nga Bashkimi Evropian është thënë se po përgatitet një takim i mundshëm mes Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.

10 ditë nga vendosja e barrikadave në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore