Kosova

Policia e Kosovës: Jemi të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës


Policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtje të procesit zgjedhor të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar organet e rendit bënë të ditur se bashkë me Komisionin Qendror Zgjedhor, “ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të, ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës”.

Me këtë, Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

“Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme etj”, njofton policia.

Ky plan parasheh që Policia e Kosovës “të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Njëkohësisht, policia inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me ta, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në, “dhe të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre”.

Organet e rendit kanë bërë të ditur se “raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës”.

Të dielën, 23 prill, mbahen zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme në 4 komuna. Sic ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për shkak të sigurisë, shumica e vendvotimeve do jenë në kontejnerë të improvizuar.

Nevoja për zgjedhje erdhi pas bojkotit të orkestruar nga serbët në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur të mos marr pjesë në zgjedhje.

Kjo ka ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse numri i atyre që dalin të votojnë do të jetë fare i vogël.

Çfarë ndodhi? 

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore