Kosova

Policia demanton mediat që raportuan se “ka pasur situatë dramatike në Bërnjak”


Protestuesit serbe qe kane bllokuar rrugen ne pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediumit në gjuhën serbe Kosovo-Online, që pretendonte se “ka pasur situatë dramatike në vijën kufitare në Bërnjak ku Policia e Kosovës ka tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe se KFOR-i e ka parandaluar incidentin”.

Përmes një komunikatë për media, policia e ka përgënjeshtruar këtë lajm duke njoftuar se shkrimi është “tendencioz dhe i pavërtetë”.

Sipas Policisë, ky raportim ka qëllim vetëm “dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”.

“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe  tendencioze”, vijon njoftimi.

Policia ka thënë se është e angazhuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e vendosur në Jarinje

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet “ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar”.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkaq, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Një veture të cilës i është hequr tabela serbe

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në dy pikat kufitare në Veri të Kosovës për të monitoruar procesin e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore