Lajme

“Po punohet në menaxhimin e deponive”, Aliu nuk raporton në Komision


Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nuk ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në këtë mbledhje ka raportuar zëvendësministrja Linda Çavdarbasha lidhur me mbledhjen, trajtimin dhe asgjësimin e mbeturinave komerciale.

Ajo bëri të ditur se për menaxhimin e mbeturinave ministria ka formuar grup punues që të bëhet reduktimi i qeseve të plastikës deri në vitin 2022.

“Monitorimi bëhet çdo vit. Me qëllim të menaxhimit të mbeturinave të qeseve të plastikës ministria ka formuar grup punues që të bëhet reduktimi i qeseve të plastikës deri në vitin 2022. Në vitin 2023 fillon implentimi i masave të marra nga ministria”, deklaroi ajo.

Ndërsa edhe deputeti Enver Haliti, ka paraqitur të dhënat nga raporti i auditimit për menaxhimin e mbeturinave.

Disa nga deponitë ilegale në Kosovë.

Haliti theksoi se janë planifikuar plane, por nuk është bërë hartimi për realizimin e tyre.

“Ministria ka hartuar planin strategjik për menaxhimin e mbeturinave për vitin 2022. Nuk ka njohuri për rinvestime të bëra nga komuna. Hartimi i strategjisë së re ka filluar në vitin 2020”.

“Janë planifikuar plane, por nuk është bërë hartimi për realizimin e tyre. Për kategorizimin e mbeturinave ministria kishte ndarë 7 milionë euro”.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka pyetur se a ka strategji për krijimin e deponive të reja.

“Në bazë të raportit operon numër i madh i bizneseve që gjeneron mbeturina. Mungesa e klasifikimit ndikon diekt në shëndetin e njeriut. A ka strategji të krijimit të deponive të reja”.

Po ashtu, edhe deputeti Rashit Qalaj tha se nuk ka pasur qasje serioze në trajtimin e mbeturinave.

“Deri më sot nuk kemi pasur qasje serioze në trajtimin e mbeturinave. Janë bërë investime të mëdha dhe nuk kanë përfunduar askund. Po besoj është qasje jo serioze e institucioneve tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore