Lajme

“Po na bëhet presion për t’iu vendosur sanksione”, Dodik vajton tek Putin


Vladimir Putin dhe Millorad Dodik

Millorad Dodik – presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë është takuar me presidentin e Federatës Ruse, Valdimir Putin, të cilit i ka thënë se ai beson se “Rusia u detyrua të ndërmarrë një operacion ushtarak në Ukrainë”.

“Ne mendojmë se Federata Ruse, e cila me këmbëngulje luftoi për kuadrin e saj të sigurisë dhe u përpoq t’i jepte ato garanci më parë, thjesht u detyrua në lidhje me këtë operacion ushtarak”, ka thënë Dodik, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Pas agresionit rus në Ukrainë, vendet Perëndimore i vendosen sanksione Rusisë, ndërsa Bosnje e Hercegovina së bashku me Serbinë; janë nga vendet e pakta të Evropës që nuk i janë bashkuar këtyre sanksioneve. Për ta penguar që BeH t’i vendos sanksione Rusisë, ndihmoi presidenti i RS-së, Dodik, duke mos lejuar që të merret një vendim i tillë.

Për këtë veprim ai u mburr para presidentit rus, por gjithashtu tek Putin-i ai u ankua se si reaksion i këtij vendimi – po përballet me presion nga ndërkombëtarët.

“Ne nuk lejuam marrjen e një vendimi formal për sanksione kundër Federatës Ruse dhe për këtë shkak u ekspozuam ndaj formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë në formën e sanksioneve dhe pezullimit të disa projekteve dhe programeve. Por ne vendosëm të mos bëhemi thjesht pjesë e histerisë që po krijohet, por të japim një shans për ta zgjidhur çështjen në nivel të Federatës Ruse dhe Ukrainës”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, Dodik potencoi se “në RS ata e kuptojnë se Rusia është në konflikt me Perëndimin dhe jo me Ukrainën”.

Ndër të tjera, ai u ankua edhe për kinse “shkelje të marrëveshjes së Dejtoni (1995)” në BeH, duke deklaruar se “RS është e ekspozuar ndaj kërkesave të ndryshme për prishjen e Marrëveshjes së Dejtonit”.

“Kemi regjistruar mbi 100 juridiksione që i kishim dhe ishin të garantuara në Dejton dhe Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat iu hoqën Srpska. E gjithë kjo kaloi në 20 vitet e fundit të vendosjes së rregullave që shkatërruan të drejtën ndërkombëtare”, pretendoi Dodik.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, ka kritikuar vizitën e presidentit ultra nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik – në Federatën Ruse.

“Në kohën kur Rusia po zhvillon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës, asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë ambasada amerikane në BeH, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Në reagimin e tyre thuhet se vendimi i Dodik-ut për t’u takuar me Putin-in është “shkurtëpamës” dhe se nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska.

“Vendimi i Presidentit Dodik për t’u takuar me Putin-in – ndërkohë që Rusia po injoron ligjet bazë të rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i tij për të nderuar Putin-in në fillim të këtij viti, është shkurtëpamës dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska”.

“Rruga e duhur për Bosnje-Hercegovinën është Brukseli, jo Moska”, thotë Ambasada Amerikane pas vizitës së Dodik-ut në Rusi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore