Lajme

“Rruga e duhur për Bosnje-Hercegovinën është Brukseli, jo Moska”, thotë Ambasada Amerikane pas vizitës së Dodik-ut në Rusi


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, ka kritikuar vizitën e presidentit ultra nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik – në Federatën Ruse, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Në kohën kur Rusia po zhvillon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës, asnjë qeveri, në asnjë nivel, nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë”, ka thënë ambasada amerikane në BeH, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Në reagimin e tyre thuhet se vendimi i Dodik-ut për t’u takuar me Putin-in është “shkurtëpamës” dhe se nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska.

“Vendimi i Presidentit Dodik për t’u takuar me Putin-in – ndërkohë që Rusia po injoron ligjet bazë të rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i tij për të nderuar Putin-in në fillim të këtij viti, është shkurtëpamës dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve të Republikës Srpska”.

Rruga drejt një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, përfshirë atyre i të cilëve është president Dodik, siç thotë ambasada amerikane atje është Brukseli, dhe jo Moska.

“Rruga drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt që dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, përfshirë banorët e Republikës Srpska, shpie përmes Brukselit, jo Moskës. Devijimi i Presidentit Dodik nga kjo rrugë është kundërproduktive dhe e dëmshme”, thojnë nga ambasada e ShBA-së në BeH.

Millorad Dodik

Millorad Dodik – presidenti i Republikës Srpska është duke qëndruar këtë të marte për vizitë zyrtare në Rusi. Atje ai do të takohet me presidentin e Federatë Ruse, Vladimir Putin.

Kjo vizitë e tij vjen në kohën kur i gjithë Perëndimi i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të agresionit të pajustifikuar kundrejt Ukrainës.

Mirëpo, Dodik përkundër kësaj vazhdon që të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, e veçanërisht me kreun e saj, Vladimir Putin.

Vladimir Putin

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të Republika Srpska, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore