Lajme

“Po falimentojmë” – Bizneset ankohen për masat e reja anti-COVID


Ilustrim

Masat kufizuese anti COVID-19 kanë ndikuar që disa biznese në Kosovë të shënojnë falimentim, përfshirë edhe sallën e ahengjeve “Golden Imperial”, e cila si pasojë e këtyre vendimeve të Qeverisë e ka të pamundur të vazhdojë punën.

Pronari zyrtar i këtij biznesi, Driton Hoti, ka thënë ta ketë të pamundur vazhdimin e punës në biznesin e tij si pasojë e këtyre masave, zanafilla e të cilave nisi qysh në pranverën e vitit 2020, kur edhe u shënuan rastet e para me Coronavirus në Republikën e Kosovës.

Driton Hoti – Pronar i “Golden Imperial”.

“Për 18 muaj, ne kemi punuar vetëm dy muaj gjatë verës së këtij viti. Shifra nuk mund të jap, por, në bazë të qarkullimit që kam pasur në vitin 2019, atëherë ka qenë 400 mijë euro, tani nuk kemi fare. Vetëm ata dy muaj që kemi punuar”, ka thënë Hoti për Radio Evropa e Lirë.

30 gushti i këtij viti solli në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës, duke u ndaluar përfundimisht organizimi i ahengjeve dhe dasmave, si pasojë e shënimit të numrave enormë të rasteve me Coronavirus, që kalonin 1 mijë sosh në 24 orë.

Njëjtë është vepruar edhe në masat e fundit që në fuqi kanë hyrë të hënën e 6 dhjetorit të këtij viti – vendim të cilin, Hoti e kundërshton fuqishëm, pasi që sipas tij “tashmë situata me Coronavirus është më stabile”.

“Në muajin gusht, kur na mbyllën, ne jemi pajtuar që të mbyllemi, për shkak të rasteve të shumta me Coronavirus, por me shpresën se kur të stabilizohet situata dhe të vaksinohet një përqindje e madhe e qytetarëve, do të na lejohet puna”, ka thënë ai.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka konfirmuar se aktualisht Kosova ka një situatë më të qetë epidemiologjike, kjo pasi që në statistikat e nxjerra nga data 1 deri më 6 dhjetor, janë regjistruar 48 raste të reja me Coronavirus dhe vetëm një viktimë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Me masat e fundit kufizuese, veç tjerash, ashpërsohen edhe kushtet për hyrje në Kosovë, ndërsa kufizimi i lëvizjes vazhdon të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Orari i punës së gastronomisë, po ashtu, nuk ndryshon; puna e këtij sektori lejohet deri në orën 23:00, ndërsa muzika ndalohet pas orës 21:30.

Një gjendje aspak e mirë në sferën e gastronomisë thotë të mos mbretërojë edhe Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ndërsa shton se para publikimit të masave të reja anti COVID-19, Qeveria do të duhej ta kishte parasysh edhe “shëndetin e ekonomisë”.

Arian Vranica – Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

“Nuk ka pasur vullnet të Qeverisë për të menaxhuar shëndetin e ekonomisë. Këto masa kanë krijuar një revoltë të madhe, sidomos të klubeve të natës dhe sallave të dasmave dhe estradës. Po ballafaqohemi me probleme të rënda. Shumë biznese janë duke falimentuar”, ka thënë Vranica.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, për gati dy vjet pandemi, janë shuar mbi 2 mijë e 600 biznese.

Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.

Mes tjerash, vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja kufizuese është kundërshtuar edhe nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, të cilët shprehen se kanë pritur lehtësim të masave dhe jo anasjelltas.

Hysen Sogojeva – Anëtar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

“Këto masa nuk janë në harmoni me bizneset. Ne, si Odë, kemi kërkuar që bizneset e sektorit të gastronomisë, hotelerisë, turizmit, të punojnë me 30 deri në 50 për qind të kapaciteteve”.

“Pastaj, iu kemi thënë se e marrim vetë obligim që asnjë person të mos hyjë në ato salla pa pasur dy vaksina (kundër Coronavirusit) dhe testin (negativ) PCR”, ka thënë Hysen Sogojeva nga kjo shoqatë.

Sipas tij, çdo masë që ndalon punën e bizneseve, është humbje dhe nëse vazhdohet me masa të tilla, deri në 35 për qind e bizneseve në këtë sektor do të falimentojnë .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore