Lajme

Plani franko-gjerman të pranohet, thotë Biserko


Sonja Biserko

Pas de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës, dialogu Kosovë-Serbi u ri-aktualizua përsëri.

Dinamizimi i dialogut kulmoi me vizitën e Këshilltarit të lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, në Kosovë e më pastaj në Serbi.

Për presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, oferta e fundit e ndërkombëtarëve, gjegjësisht plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi duhet të pranohet nga të dyja palët.

Çështja sipas saj është se cilat do të jenë masat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e pranon ofertën – planin franko-gjerman.

“E gjithë kjo do ta vendos Serbinë në një situatë shumë kritike. Është në dorën e qytetarëve, por edhe të opozitës të ngrenë zërin dhe të bëjnë presion ndaj qeverisë për të vepruar me përgjegjësi. Serbia nuk duhet të lejojë që të jetë peng i Rusisë dhe politikës së saj shkatërruese, e cila do të paguajë edhe për të”, thekson Biserko në një intervistë për të përditshmen serbe, Danas.

“Vizita e Derek Chollet është padyshim një nga më të rëndësishmet sepse ai erdhi me një ofertë. Nuk bëhet fjalë vetëm për ringjalljen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por në tavolinë është edhe një ofertë për Kosovën dhe Serbinë, e cila duhet të pranohet”, shton ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore