Lajme

Plani B i oligarkëve rusë – Të gjithë në parajsën e Dubait


Disa ditë të kaluara në Dubai dhe Abu Dhabi Expo ofrojnë një perspektivë të veçantë për luftën në Ukrainë. “Vuajtjet” e oligarkëve rusë, varfërimi i Moskës, izolimi i Putinit, shfaqen në një dritë tjetër në Lindjen e Mesme.

Hotelet ultra luksoze në Dubai janë shitur falë oligarkëve rusë. Atyre u shpronësohen asetet në Saint Tropez dhe Costa Smeralda, të dëbuara nga bankat britanike dhe zvicerane, por në Emiratet ata gjejnë një parajsë tatimore dhe bankare mikpritëse, të paktën tani për tani, ku mund të zbutin kontrollin e sanksioneve tona.

Në Gjirin Persik dhe në botën arabe në përgjithësi, Rusia është më pak e izoluar nga sa na duket neve: ajo po korr frytet e ekspansionizmit të saj në Siri dhe gjetkë dhe është e respektuar për rolin e saj ushtarak në këtë fushë.

Loja

Loja e naftës është vendimtare. Për sa kohë që fuçia e naftës së papërpunuar mbetet mbi 110 dollarë, Putin-i vazhdon të arkëtojë mjaftueshëm për të financuar agresionin e tij.

Ndër vite, Rusia ka ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer me OPEC-un deri në pikën që karteli është riemërtuar në OPEC + (plus Moska, në fakt).

Emiratet dhe Arabia Saudite mund të krijonin vështirësi të mëdha për Putin-in, vetëm nëse do të donin të rrisnin prodhimin dhe për rrjedhojë të ulnin çmimet. Ata janë dy kombet e vetme që kanë një kapacitet të madh prodhimi të papërdorur.

Emiratet janë nën presion të jashtëzakonshëm nga Biden dhe duken të gatshëm t’i bëjnë këtë favor Amerikës; ditët e fundit ata janë distancuar nga kushërinjtë e tyre sauditë dhe kanë dalë në favor të rritjes së nxjerrjes së naftës bruto. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Rusinë, shumë më domethënëse se embargoja simbolike amerikane (Shtetet e Bashkuara importojnë shumë pak naftë nga Moska).

Por sauditët dhe anëtarët e tjerë të kartelit mund të mos duan domosdoshmërisht të sabotojnë “anëtarin e tyre të jashtëm” kaq hapur. Spostimi i luftës në OPEC tregon se Putin-i ka qenë i aftë në thurjen e fijeve të aleancave të tij ndërkombëtare.

Luksi

Janë zënë të gjitha vendet në hotelet luksoze me shtatë yje në Dubai, ku rusishtja flitet shumë më tepër se arabishtja dhe ku suita që kushtojnë pesë mijë euro në natë nuk gjenden më të lira, tregon se shumë oligarkë ndoshta kishin një plan B gati me kohë.

Hotele luksoze ne Dubai

Kompaktësia e treguar nga Perëndimi deri tani mund të mos jetë e mjaftueshme. Perëndimi nuk është gjithçka. Megjithëse forca e sanksioneve tona është e paprecedentë, ka zona të botës ku të tej pasurit gjejnë gjithmonë një pritje ttë madhe dhe të duhur.

Paraja krijon indulgjenca në çdo nivel. Kur artistët italianë Roberto Bolle dhe Mahmood bënë gjeste solidariteti me Ukrainën në Dubai Expo, autoritetet lokale shprehën irritim. Nuk është vetëm paraja ruse që është joshëse; është gjithashtu gjeopolitika e Putin-it ajo që ka fituar respekt në këtë zonë të botës.

Shumë kohë përpara se Joe Biden të pohonte refuzimin e tij kategorik të një konflikti të drejtpërdrejtë NATO-Rusi në Ukrainë, një gjest tjetër mbeti i gdhendur në kujtesën e liderëve arabë: ishte kur Barack Obama shpalli një “vijë të kuqe” që nuk duhej kaluar në Siri, përkatësisht përdorimin e armëve kimike kundër popullatës civile. Assad e injoroi këtë të fundit dhe asgjë nuk ndodhi.

Siria që atëherë është bërë një protektorat ushtarak i Rusisë dhe fuqia e Asadit është më se e fortë. Edhe Izraeli negocion me ushtrinë ruse kur dëshiron të kryejë sulme ndaj terroristëve pro-iranianë me bazë në Siri.

Është një nga arsyet pse Tel Aviv-i ka pasur paqartësi në qëndrimin për Ukrainën. Muskuli ushtarak që Putin-i shfaqi në Lindjen e Mesme apo Afrikë, i njëjti agresion që ngjall tmerr tek ne evropianët pacifistë, diku tjetër frymëzon një frikë që kufizohet lehtësisht me admirimin.

Dyshimet

Gjeopolitika “nuk është një darkë gala”, për të parafrazuar Mao Ce Dunin, dhe lideri rus brenda cinizmit të tij zbaton rregullat e lojës që të tjerët gjithashtu bëjnë.

Tërheqja e Biden-it nga Kabuli kishte një racionalitet të thellë: pas njëzet vjet lufte ishte e kotë të mashtroje veten për eksportimin e demokracisë dhe të drejtave. Amerika duhet të fokusohej në sfidën kryesore me Kinën në vend që të humbiste në konfliktet periferike.

Megjithatë, dalja nga Afganistani ka mbjellë dyshime në mesin e disa liderëve të botës arabe, të cilët pyesin veten nëse SHBA-të do të dëshirojnë ende të ushtrojnë ndikim vendimtar në zonat e tyre.

Kjo ndodh pasi rusët dhe turqit ofrojnë shërbime mercenare në konflikte të ndryshme lokale dhe kinezët po planifikojnë baza të reja ushtarake në këto zona.

Ndjeshmëria humanitare ka bërë që Ëashingtoni dhe kryeqytetet evropiane të kufizojnë furnizimet ushtarake për sauditët dhe Emiratet në konfliktin e Jemenit, ku po veprojnë milicitë shiite pro-iraniane.

Rezultati është se sunitët po kërkojnë armë në Moskë dhe Pekin.

Irani nuk ndalet së frikësuari fqinjët e tij, edhe pse Biden tani përpiqet të korrigjojë çarjet me të gjithë armiqtë e djeshëm (përfshirë Venezuelën).

Era e ambientalizmit radikal që fryn në Ëashington dhe kryeqytetet evropiane gjeneron nga ana tjetër kontradikta rrëqethëse.

Deri pardje po flisnim për një botë pa karbon sikur të ishte fare e afërme. Tani telefonat në Riad dhe Abu Dhabi po bien teksa liderët perëndimorë po kërkojnë më shumë lëndë djegëse fosile dhe me çmime të arsyeshme. Dhe sa më shpejt të jetë e mundëshme.

Autori, Federico Rampini, shkruan për “Corriere della Sera”. Përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore