Shqipëria

Pisonero për “Open Balkan”: Mirëpresim angazhimet për bashkëpunim rajonal


“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit”.

Ky ka qenë reagimi i zëdhënëses së Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Ana Pisonero, për median e Kosovës “Express” në lidhje me “Open Balkan”.

Pisonero ka theksuar rëndësinë se, “një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor”.

Sipas Pisonero-s, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

“Ky i fundit, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ajo ka përmendur dhe faktin se BE-ja po krijon mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik.

Kjo e fundit, sipas Pisoneros, “i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”.

Vetëm tre janë vendet pjesëmarrëse deri në këtë çast. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina, nuk kanë pranuar t’i bashkohen trinomit të “Open Balkan”.

Ndërsa, përpjekje për t’i përfshirë të gjashtë vendet, vijojnë ende.

SHBA-të mbështesin “Open Balkan’

Ndërkohë nisma e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është mbështetur dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka konfirmuar për Zërin e Amerikës (VOA) mbështetjen e SHBA-ve ndaj përpjekjeve të Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin “gjithëpërfshirës” rajonal.

Kjo, në bazë të rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian (BE), deklaroi më herët ai për VOA-n.

Lidhur me angazhimin ‘vetëm’ të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në nismën e një ‘Ballkani të Hapur’ – udhëheqësit e tjerë të rajonit duhet “të përpiqen që të gjejnë mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.

Njësoj si Pisonero dhe për SHBA-të është i rëndësishëm krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal.

Mbështetja e qeverisë gjermane

Ndërkohë, të mërkurën e 11 gushtit, qarkulloi në media një lajm se Gjermania mbështet plotësisht nismën e “Open Balkan”.

Lidhur me këtë, erdhi dhe reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Çudi! Qeveria gjermane e mbështetka ‘Open Balkan’ ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën”, shkruante ai në Tëitter fill pas lajmit të publikuar.

Vendet e Vishegradit

Krijimi i “mini Shengen-it”, zyrtarisht “Open Balkan”, është mirëpritur dhe nga Vendet e Vishegradit.

Të premten e 30 korrikut, në deklaratën e ministrave të Jashtëm, thuhej se “ne besojmë se një bashkëpunim kaq i ngushtë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit”.

Përkatësisht ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjártó, i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek, i Sllovakisë, Ivan Korcokn dhe i Polonisë, Zbigniew Rau.

Më tej, ata theksuan mbështetjen e tyre për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Open Balkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten e 29 korrikut u mblodhën në Shkup për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal.

Krerët konkretizuan dy marrëveshje të reja, në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga tre krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet. Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Kur më pas të kthehet në marrëveshje dhe të hyjë në fuqi, qytetarët e tre vendeve nuk do të kenë më pengesa në gjetjen e punës midis tre shteteve. Pra, një koncept tërësisht identik me atë të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore