Lajme

Petkoviç: Serbia u dëshmua konstruktive, por Kosova s’dëshiron zgjidhje


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh shef i delegacionit serb, pretendoi se pala serbe tregoi “konstruktivitet” në negociatat për dinarin, ndërsa akuzoi palën kosovare se nuk dëshiron të pajtohet për asgjë. Ai njoftoi se raundi i ri i negociatave nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) do të mbahet më 13 maj.

“Bisedimet kanë qenë të vështira dhe të tensionuara, por kanë qenë të drejtpërdrejta, kjo është e mirë. Unë dhe ekspertët tanë patëm mundësinë që të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për të zgjidhur çështjen e dinarit”, deklaroi ai në një deklaratë për gazetarët pas takimit trelateral që zhvilloi të enjten në Bruksel të Belgjikës për çështjen e dinarit serb.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherë shef i delegacionit kosovar, tha pas ciklit të ri të dialogut se Serbia pati “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në dinar nga Serbia në Kosovë, ndërsa shtoi se Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të dalë me një propozim të ri.

Ai njoftoi se pala serbe insistoi që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i këtij mekanizmi nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë.

“Sigurisht që të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçaku do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, nënvizoi zëvendëskryeministri kosovar në një deklaratë për gazetarët pas takimeve maratonike që palët zhvilluan të enjten në kryeqendren evropian për dinarin.

Lajçaku takoi më 25 prill kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit kosovar, ndërsa ky është takimi i pestë që zhvillohet për këtë çështje. Por, palët ende nuk kanë gjetur një zgjidhje.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë pas dy javësh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore