Lajme

Petkoviç: Rezoluta kundër referendumit ka futur Kosovën në fazën e konfrontimit të hapur me serbët


Drejtor i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç

Drejtor i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë edhe në territorin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese të Serbisë, ka thënë se është “akti më flagrant i dhunës politike, i kryer me pëlqimin e heshtur të bashkësisë ndërkombëtare”.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për të penguar mbajtjen e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, sipas Petkoviçit e ka futur Kosovën në fazën e konfrontimit të hapur me serbët në Kosovë, pasi që ajo anulon plotësisht të drejtat elementare politike dhe civile të serbëve dhe se kjo do të ketë “pasoja të paparashikueshme”, konsideron ai, përcjell Tanjug.

Kuvendi i Republikës së Kosovës

“Shpjegimet hipokrite nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës janë manifestimi më i zakonshëm i dhunës politike dhe ekstremizmit, i cili përfundon fushatën e represionit ndaj serbëve në Kosovë”.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se serbët nuk do të mund të votojnë në Kosovë në të ardhmen thotë Petkoviç.

Petar Petkoviç Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në Serbi

Kurti dhe ekstremistët e tij të mos mendojnë se do të mund t’ua ndalojnë serbëve të votojnë në Kosovë në të ardhmen, veçanërisht në zgjedhjet e 3 prillit dhe se do të arrijnë të dekurajojnë këdo në luftën për mbijetesë dhe të drejtat e tyre”, shtoi Petkoviç.

Petkoviç konsideron se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë vendosur të bëjnë presion më të fortë ndaj Prishtinës me kohë për t’u mundësuar serbëve të votojnë, por t’u përmbahen deklaratave dhe mesazheve retorike, të cilat strukturat politike të Kosovës padyshim që nuk i shohin si të detyrueshme.

“Kjo i dha Kurtit mundësinë për të vazhduar pa u ndëshkuar fushatën e rrezikshme të destabilizimit të rajonit dhe pështyrjes në fytyrë të të gjithë atyre që po përpiqen ta bëjnë Ballkanin Perëndimor një zonë të zhvillimit demokratik dhe prosperitetit ekonomik”, tha Petkoviç.

Në fund ai ka deklaruar se Beogradi zyrtar së bashku me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit serb “të cilat askush nuk mund t’i shkelë me disa rezoluta anti-serbe, të cilat prodhojnë pasoja të paparashikueshme dhe të kërkojë një përgjigje të vendosur politike ndaj sjelljes së Prishtinës”, ka deklaruar ai.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën kundër Referendumit serb

Me 76 vota për asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së shtunë të 15 janarit në një seancë të jashtëzakonshme e ka miratuar rezolutën kundër Referendumit serb të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rezoluta kundër mbajtjes së referendumit serb në territorin e Kosovës e propozuar nga Grupi Parlamentare i Lëvizjes Vetëvendosje u mbështet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupi Parlamentar multi-etnik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore